Daçiq: Formimi i BKS-së është një test edhe për komunitetin ndërkombëtar

Dačić i Šalenberg
Burim: Kosovo Online

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë sot se qëndrimi i Serbisë është i qartë, përkatësisht se nuk ka hapa të mëtejshëm në zbatimin e marrëveshjes me Prishtinën deri në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Në Vjenë, pas konstatimit të gazetarit se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Gjuzepe Borel, ka thënë se është arritur një marrëveshje, por se Vuçiq ka thënë se nuk ka marrëveshje, Daçiq theksoi se më e rëndësishmja ishte se u tha që BKS të formohej menjëherë.

"Deri në formimin e BKS-së, ne nuk mund të diskutojmë më tej për hapat e zbatimit. Vuçiq tha qartë se ne pajtohemi të zbatojmë parimet deri në vijat tona të kuqe që i kemi theksuar", tha Daçiq.

Duke kujtuar se ai dhe Hashim Thaçi e nënshkruan formimin e BKS-së, ai tha se do të ishte tepër optimist nëse thoshte se do të ndodhte menjëherë nesër, kur nuk kishte ndodhur në 10 vitet e mëparshme.

“Ky tani është edhe një test për bashkësinë ndërkombëtare”, tha Daçiq.

Ai po ashtu ka thënë se është përcaktuar qartë se BKS-në do ta përbëjnë 10 komuna, nga të cilat katër janë në veri të Kosovës me shumicë serbe.

“Kemi ndenjur e kemi biseduar me ditë të tëra. Mezi ramë dakord për një gjë të tillë dhe tash e 10 vjet duhet të presim që Kurti të mëshirojë dhe ta formojë. Ne nuk besojmë në gatishmërinë e tyre, por i pranojmë garancitë të negociatorëve evropianë se kështu do të jetë”, tha Daçiq.

Në pyetjen se a do ta pranonte Serbia anëtarësimin e Kosovës në BE, ai u përgjigj se “nuk na pyet askush asgjë në BE, sepse ne nuk jemi anëtare”, por gjithashtu deklaroi se Serbia është dashur të bëhet anëtare e Bashkimit shumë kohë më parë.

Sa i përket qëndrimit ndaj Rusisë, Daçiq tha se nuk duhet harruar se në vitin 1948 RSFJ-ja u tërhoq nga të gjitha paktet me BRSS, ndryshe nga vendet e Evropës Lindore që tani janë në BE dhe që po përgatitnin sulm të armatosur ndaj Jugosllavisë për shkak të konfliktit me Moskën.

“Kur bëhet fjalë për BE-në, është e rëndësishme të flitet për Kombet e Bashkuara, sepse është një organizatë universale që konfirmon nëse një vend njihet apo jo. Vetëm për këtë bëhet fjalë”, tha Daçiq.

Ai kujtoi se një vit më parë, Serbia konfirmoi qëndrimin e saj në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe dënoi shkeljet e integritetit territorial të çdo vendi, përfshirë Ukrainën, por nuk iu bashkua masave kufizuese kundër Moskës.

“Ky qëndrim nuk ka ndryshuar. Nëse ka nevojë për rishikim të pozitës, me atë do të merren institucionet kompetente.  Është e vërtetë që Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por është gjithashtu e vërtetë se vëllimi i shkëmbimit të tregtisë së jashtme ndërmjet Rusisë dhe Serbisë është ulur.  Dhe si e komentoni faktin që në shumë vende perëndimore, të cilat kanë vendosur sanksione, vëllimi i tregtisë së jashtme është rritur? Jini të drejtë me të gjithë.  Shkëmbimi ynë me Rusinë lidhet kryesisht me naftën dhe gazin”, tha Daçiq.