Daçiq me Llakro dhe Zijade: Për përparimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, është i nevojshëm themelimi i BKS-së
Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka biseduar sot në Beograd me nënsekretarin e OKB-së për Operacione Paqeruajtëse Xhan-Pjer Llakro dhe Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefen e UNMIK-ut Karollin Zijade për ecurinë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe theksoi se për këtë është e nevojshme të zbatohen zotimet e marra, para së gjithash themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe.
Siç njofton MPJ, në takim është biseduar edhe për kontributin e Serbisë në paqen botërore përmes pjesëmarrjes në operacionet paqeruajtëse dhe përmirësimit të bashkëpunimit me OKB-në.
Gjithashtu, u fol për rëndësinë e vazhdimit të angazhimit të Misionit të UNMIK-ut për të gjitha çështjet me rëndësi për zbatimin konsekuent të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe për situatën aktuale të sigurisë dhe politike në Kosovë dhe Metohi, sidomos në kuadër të incidenteve të fundit të cilat, siç theksohet në njoftim, rrisin edhe më tej tensionet.
Temë e diskutimit ishte perspektiva e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, theksoi se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut si e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve aktuale, por thelbi qëndron në respektimin e asaj që është rënë dakord. Në këtë kontekst, ai theksoi se zbatimi i obligimet e marra është e nevojshme, para së gjithash, themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit”, thuhet në njoftim.
Daçiq konfirmoi gatishmërinë e Serbisë për të vazhduar të jetë një pjesëmarrëse e rëndësishme në operacionet e paqes të OKB-së, duke kontribuar kështu në ndërtimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Llakro vlerësoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Serbisë në misionet nën mandatin e OKB-së dhe mbi të gjitha cilësinë dhe profesionalizmin e angazhimit të tyre.
Bashkëbiseduesit shprehën pritshmërinë që bashkëpunimi i mirë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
0 komentet