Daçiq: Më shumë se 100 shqiptarë në emër të Sërbisë janë angazhuar në KB

Ivica Dačić
Burim: Kosovo Online

Ministri i jashtëm Ivica Daçiq ka thënë sot se në misionin e UNMIK nga 240 të angazhuar në Kombet e Bashkuara që janë në emër të Sërbisë, 108 ose 114 prej tyre janë shqiptarë, transmeton BETA.

Daçiq ka thënë se këta shqiptarë në KB si shtetas të Sërbisë e bëjnë të ditur këtë "vetëm kur u duket e nevojshme".

"U thashë se ju shqiptarët jeni hipokritë, nuk doni të shkoni në Serbi pasi e keni mjelur sa keni patur mundësi e tani, doni edhe shtetin tuaj" ka thënë Daçiq për Pink.

Daçiq ka thënë se shqiptarët kanë vendin e tyre-Shqipërinë dhe se pavarësinë e kërkojnë kur ndonjë popull nuk ka shtetin e vet.

"Nëse Kosova mundet të kërkojë dhe marrë pavarësi, atëherë përse nuk mundet të bëjë të njëjtën gjë edhe Republika Sërbe e Bosnjës" pyet Daçiq.

Ky i fundit ka komentuar takimin e afërt mes liderëve të Sërbisë e Kosovës Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti në Bruksel duke përsëritur se pa formimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe në Kosovë, nuk ka implementim të mëtejshëm të marrëveshjeve.

"Por, e rëndësishme është që të jemi të zgjuar dhe të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen. “Nuk i trembemi as Kurtit e as Gërvallës, ata duhet t’i trembë bashkësia ndërkombëtare" ka thënë shefi i diplomacisë.

Daçiq ripërsëriti se është për hyrjen e Sërbisë në Bashkimin Europian, por me mbrojtjen e tërësisë territoriale me integritetin dhe sovranitetin e saj.

Daçiq shton se deri më tani, me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, janë evakuar nga Sudani 27 nga 28 shtetasit sërbë që e kërkuan një gjë të tillë.