Daçiq: Është koha që maskat të bien - a do të formojë Kurti BKS-në

Ivica Dačić Pink screenshot
Burim: Screenshot TV Pink

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sonte se është koha që të bien maskat dhe të përcaktohet nëse Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dëshiron apo nuk dëshiron të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe.

"Çdo ditë jetojmë në problemin nëse Kurti do të ringjallë ndonjë konflikt. Në vend të normalizimit, kemi një përshkallëzim të mëtejshëm. Kemi ardhur në pikën ku duhet hequr maskat - a do ta formojë Kurti BKS-në apo jo", tha Daçiq në emisionin Hit Tweet në TV Pink.

Nëse Kurti nuk dëshiron ta bëjë këtë, atëherë, thotë ai, vlen edhe ajo që ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq - se nuk jemi marrë vesh për asgjë, dhe nëse dëshiron ta formojë BKS-në, atëherë duhet parë se mbi çfarë baze do të jetë kjo.

“Ai në mënyrë të paligjshme ka zëvendësuar Ekipin Menaxhues dhe po mendon për veprime të njëanshme, si t'i prezantojë kryetarët e komunave në zyrat në veri dhe këtë nuk do ta lejojnë serbët”, tha Daçiq.

Ai përkujtoi se Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, nesër në Bruksel do të bisedojë me Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, në nivel teknik.

“Të shohim se çfarë do të bëjmë më tej”, shtoi Daçiq.

Kur është fjala për samitin e ardhshëm të Këshillit të Evropës, ai përsëriti se Serbia është thellësisht e prekur nga vendimi joparimor i Komitetit të Ministrave për të filluar pranimin e Kosovës në atë organizatë ndërkombëtare.

“Si përgjigje ndaj kësaj, ne përgatitëm një amendament të Deklaratës, i cili flet për integritetin territorial të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, si dhe të gjithë anëtarëve të tjerë, por kjo nuk i pëlqeu as Gjermanisë”, tha Daçiq.

Ai shtoi se në Samitin e Këshillit të Evropës në vend të presidentit Vuçiq do të shkojë ambasadorja e Serbisë në atë organizatë, Alleksandra Gjuroviq.

Shefi i grupit parlamentar të PPS-së në Kuvendin e Serbisë, Millenko Jovanov, tha se Kurti dhe deputetet e tij, si dhe disa deputetë të tjerë, po mbrojnë një “skenar lufte”, i cili po luhet para syve tanë dhe për të cilin presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi si publikun vendas ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Ai po ashtu ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që protestat e ditëve të fundit në Serbi të kenë lidhje me këtë dhe se dikujt i shkon për shtat që Serbia po merret me gjëra të tjera dhe të gjithë ta kthejmë kokën në anën tjetër, dhe që Prishtina të dëbojë serbët nga Kosova.

“Mirëpo, më shumë se një herë është thënë se Serbia nuk do ta tolerojë këtë, por do ta mbrojë popullin e saj. Pra, ai diversion, nëse ekziston, nuk është diçka që do të kalojë”, tha Jovanov.