Daçiq: Mirënjohje për Cipras dhe Katrugallos për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka falënderuar Aleksis Cipras, liderin e Koalicionit të Majtë Radikale “Syriza”, dhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe anëtar i asaj partie, Jorgos Katrugallos, për mbështetjen e tyre të qartë publike për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.
Përmes një postimi në Twitter Daçiq ka shprehur mirënjohjen më të thellë për “vëllezërit grekë”.
“Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për vëllezërit dhe miqtë tanë grekë nga Syriza, Aleksis Cipras dhe Jorgos Katrugallos, për mbështetjen e tyre të qartë publike për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”, ka shkruar Daçiq në Twitter.
Syriza opozitare dënoi qëndrimin e qeverisë greke gjatë votimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke nënvizuar se qëndrimi i përmbajtur i Athinës, pa shpjegime dhe konsultime me forcat politike në vend, praktikisht, pa shpjegime, ndryshon qëndrimin e prerë të Greqisë për çështjen e Kosovës.
Katrugallos, kreu i diplomacisë në ish-qeverinë e Ciprasit, i cili flet në emër të Syrizës, tha më herët se Greqia duhet të promovojë gjithmonë paqen dhe stabilitetin në Ballkan duke mbështetur hapa dhe zgjidhje të pranueshme, dhe se qëndrimi i përmbajtur i Athinës gjatë votimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk i kontribuon atij qëllimi.
komentet