Daçiq: Situata e sigurisë në Sërbi është stabile, mbështetje të plotë Vuçiqit për dialogun

Ivica Dačić.jpg
Burim: Kosovo Online

Zv.kryeministri i parë dhe ministri i punëve të jashtme të Sërbisë Ivica Daçiq ka thënë sot në përfundim të mbledhjes së Byrosë për Koordinim e Punës së Shërbimit të Sigurisë, se situata e sigurisë në vend është stabile dhe Byroja jep mbështetjen pa rezervë ndaj përpjekjeve të presidentit Aleksandar Vuçiq në procesin e bisedimeve me Prishtinën nën patronazhin e BE.

"Detyra jonë është shqyrtimi i situatës dhe të mundësojmë sigurinë e stabilitetin e brendshëm për të ruajtur paqen. Në këtë kuptim kemi dalë në përfundimin se situata aktuale e sigurisë në Sërbi është stabile, por në vazhdim sektori i sigurisë do të punojë në përputhje me kompetencat e veta në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe sigurinë e qytetarëve të Sërbisë" ka thënë Daçiq.

Ky i fundit ka shtuar se Byroja i jep mbështetje pa rezerva presidentit Vuçiq kur vjen fjala për presionet e mëdha të cilat vijnë nga jashtë apo siç tha ai, “zbatuesit e punëve në vendin tonë”.

“I japim mbështetje të madhe kur bie fjala për procesin e bisedimeve me institucionet e përkohshme në Prishtinë. Vuçiq ka mbështetjen tonë dhe patjetër që do të ruajë në mënyrën më të mirë interesin nacional e shtetëror, por ajo çfarë është e rëndësishme, është rruga europiane e Sërbisë” ka thënë Daçiq për Tanjug.

Daçiq ka theksuar se në mbledhje u shqyrtua situata aktuale në Sërbi, e veçanërisht referuar situatës në Kosovë dhe të gjitha rreziqet që u kanosen sërbëve, në radhë të parë prej Albin Kurtit.

“Ideja kryesore e Kurtit mund të jetë dialogu verbal, por qëllimi i tij kryesor është dëbimi i sërbëve nga Kosova”, tha Daçiq.

Ky i fundit shtoi se në mbledhje u analizua situata në lidhje me migrimin ilegal, pas vizitës së komisares europiane për çështje të brendshme, si dhe gjithë kërcënimet dhe situata për çështjet e rendit publik dhe paqes në Sërbi.

“Situata në vend është stabile, sektori i sigurisë po punon në mbrojtjen e interesave kombëtare e shtetërore, në ruajtjen e sigurisë së brendshme, paqes, stabilitetit, veçanërisht në këtë kohë presionesh ku do të dyfishohen, duke pasur parasysh marrëdhëniet më të ndërlikuara gjeopolitike, të cilat po shkojnë në drejtim të përshkallëzimit të mëtejshëm dhe jo qetësimit” ka thënë Daçiq.