Daçiq: Qëndrimi i Perëndimit ndaj Serbisë ka ndryshuar, BKS është parakusht i të gjitha parakushteve

Është një punë e madhe për ne që edhe në Uashington edhe në Bruksel, edhe pse i njohin “vijat tona të kuqe”, qasjen tonë ndaj dialogut e vlerësojnë si konstruktive dhe të përgjegjshme, thotë në intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili kaloi dy ditët e fundit në Uashington, ku ishte mysafir në Lutjet e Mëngjesit dhe u takua me zyrtarë amerikanë në Departamentin e Shtetit dhe Kongresin.

Në intervistë për Zërin e Amerikës, Daçiq theksoi dy vija të kuqe - çështjen e njohjes së Kosovës, pra çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe - siç tha ai - "një parakusht i të gjitha parakushteve" që së pari të themelohet Bashkësia e Komunave me shumicë serbe.

“Është diçka për të cilën realisht nuk kemi nevojë të diskutojmë apo negociojmë përsëri, sepse është diçka për të cilën ndoshta jemi pajtuar kur e kemi nënshkruar atë marrëveshje 10 vjet më parë”, tha shefi i diplomacisë serbe dhe Nënkryetari i Parë i Qeverisë së Serbisë.

Daçiq thekson se gjëja më e rëndësishme për të gjatë qëndrimit në Uashington ishin bisedimet në Departamentin e Shtetit, me zyrtarët që takoi së fundi në Beograd - këshilltarin Derek Sholle dhe të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar.

“Temat qendrore ishin marrëdhëniet tona dypalëshe, pra se si të përpiqemi të përparojmë në ato marrëdhënie. Mendoj se është e rëndësishme edhe telefonata që Sekretari i Shtetit Blinken bëri me Presidentin Vuçiq para seancës së sotme të Kuvendit të Serbisë. Ajo thirrje ishte pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit që mund të dëgjoja si në Bruksel ashtu edhe këtu në Uashington - dhe mendoj se ky është ndoshta mesazhi më i rëndësishëm, që është se performanca dhe pozicioni i presidentit Vuçiq, pra i Serbisë, vlerësohet si konstruktiv dhe i përgjegjshëm. Dhe shpesh krahasohet me Prishtinën dhe Kurtin – për të cilët ka vlerësime të kundërta”, tha Daçiq dhe shtoi:

“Këtu kam dëgjuar se shprehen pozitivisht për Serbinë dhe vetë thonë se qëndrimi i Quintës, përfshirë edhe SHBA-në, ka ndryshuar shumë në raport me këtë pozicionim të Serbisë, gjë që tregon se ka qenë një vendim i drejtë”.

Daçiq thekson se është gjithashtu e rëndësishme që ka dëgjuar nga zyrtarët amerikanë se ata janë "të vetëdijshëm se sa e vështirë është për Serbinë të flasë fare për këtë".

“Për shembull, unë mund të flas për të gjitha këto nga përvoja personale, sepse isha bashkë me Vuçiqin dhe në atë kohë kam qenë kryeministër, ju kujtohet në atë kohë kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit dhe ne ishim nën sulme të ndryshme - se ne e tradhtuam Kosovën, e kështu me radhë, madje na kanë sharë dhe nuk e di se çfarë, na kanë paditur në gjykatë... Pra, sigurisht që çdo diskutim për këtë temë do të jetë i vështirë dhe këtë e tregojnë nga këto ngjarje të sotme që kam mundur të përcjell, me sa kam parë, ka pasur incidente në parlamentin serb. Gjë që sigurisht nuk është e mirë, sepse duhet të kemi unitet sa i përket qasjes ndaj atyre çështjeve shtetërore dhe kombëtare”.

Nuk është sekret se Amerika është ndoshta më e interesuara për përparimin në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në vitet e fundit. Ne kemi një plan franko-gjerman, për të cilin të paktën zyrtarisht nuk dimë shumë, përveç që edhe Amerika edhe Evropa kërkojnë që Serbia dhe Kosova ta nënshkruajnë dhe duket se ka shumë presion në të dyja palët për ta bërë këtë. A e keni ndjerë këtë në bisedat këtu?

Nuk bëhet fjalë për presion, sepse e dini, Serbia është pozicionuar në mënyrë konstruktive dhe me ne - ndryshe nga Prishtina - nuk ka nevojë të flitet në atë mënyrë, të detyrojnë dikë të pranojë diçka. Këtu duhet të bisedojnë me Prishtinën që të pranojnë se të zbatojnë diçka që e kanë nënshkruar dhjetë vjet më parë. Pra, ky është një ndryshim i madh në qasje. Ne po flasim këtu për diçka që do të ishte e papranueshme për ne në kuptimin kur flasim për vetë tekstin e asaj marrëveshjeje të re. Dhe këtu po flasim për diçka tjetër. Nuk ka dyshim që pozicioni ynë është i mirë, por temat për të cilat flasim janë të vështira dhe të bazuara në disa gjëra që mendoj se janë shumë të vështira për t'u diskutuar. Për të bindur dikë nëse kemi të drejtë apo jo, sepse gjithë ajo bindje dhe argumentim që ne paraqesim, e cila shpesh është e ngjashme me atë që po ndodh në lidhje me integritetin territorial të Ukrainës... por e dini çfarë, ne nuk jemi në pozicion të përcatojmë se si do të vendosin fuqitë e mëdha për atë çështje. Pra, është e qartë se në periudhën e ardhshme, por vetëm kur të hyjmë në ndonjë zbatim të mëtejmë të gjithë kësaj, sepse nuk kemi hyrë në të gjithë, atëherë do të kemi një diskutim për çështje jashtëzakonisht të vështira, nëse duhet të merren vendime të caktuara apo jo dhe në këtë kuptim ata shprehën qartë se në çfarë mund të mbështeteni dhe çfarë është diçka në të cilën nuk mund të mbështeteni. Dhe në këtë drejtim, mund të thuhet se këto janë disa nga pikat, gjegjësisht pasojat me të cilat do të mund të përballeshim, në rast se Serbia do të karakterizohej si shkaktare e dështimit të atij dialogu. Gjë që nuk është rasti për momentin. Që është e mirë.

Duket se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë ushtruar më shumë presion mbi Kosovën për të formuar Bashkësinë e Komunave Serbe. Megjithatë, pala amerikane – që është z. Sholle dhe z. Eskobar i kanë përmendur disa herë – se këtë e konsiderojnë një proces të veçantë nga marrëveshja franko-gjermane. A e sheh Serbia kështu?

Ai është i ndarë, por ju e dini në çfarë kuptimi - që nuk është pjesë e këtij procesi të ri. Është pjesë e procesit të Marrëveshjes së Brukselit dhe ne jemi dakord me të. Në çfarë kuptimi - që i paraprin diçkaje që do ta bëjmë më tej. Nuk mund të presim tani që ajo të formohet në fund të ndonjë procesi. Jo, ne mendojmë se është diçka për të cilën është dakorduar.

Ky është një parakusht për kthimin e serbëve në institucione. Dhe pse është kështu? Njerëzit nuk e mbajnë më mend atë kontekst, këtë ia thashë edhe Borelit. Ai thotë pse serbët nuk kthehen në institucione, dhe unë i them: Nuk e di saktësisht se në cilën dhomë këtu në Bruksel e kemi nënshkruar atë marrëveshje, por këtu e kemi nënshkruar bashkë me Thaçin dhe Ketrin Eshton. I them se një kohë e kanë mbajtur foton time këtu në Bashkimin Evropian kur e kam nënshkruar atë me Thaçin. Çfarë kam nënshkruar? A kam nënshkruar për Bashkësinë e Komunave Serbe? Dhe se ishte kusht që serbët në atë mënyrë, kur t'i shfuqizojnë institucionet e shtetit të Serbisë, të krijojnë institucionet e tyre në Kosovë dhe kështu të hyjnë në Bashkësinë e Komunave Serbe dhe përmes kësaj të hyjnë në institucionet e atyre organeve të përkohshme në Kosovë.

Dhe tani çfarë do të thotë kjo. Se ne mashtruam popullin tonë dhe se më mashtrove mua, sepse unë e kam nënshkruar... Thjesht nuk duam që ajo të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje të re, një proces të ri, që rezulton se nuk kemi rënë dakord për asgjë deri tani. Pra, nuk është pjesë e procesit të ri. Kjo është pjesa që duhet përfunduar. Këto janë obligimet e ndërmarra. Ata nuk janë pjesë e ndonjë marrëveshjeje të re.

“Është e lehtë të ulesh në tarracë dhe të japesh mësime".

Si e interpretoni kritikën e opozitës se e gjithë kjo është tradhti?

Nuk e di se mbi çfarë baze mund të pretendojnë diçka të tillë, sepse Serbia nuk ka marrë asnjë angazhim që dikush të pretendojë diçka të tillë. Presidenti Vuçiq nuk ka nënshkruar asgjë, as nuk ka dhënë pëlqimin, inicializuar se kemi marrë disa obligime. Ne thamë që duam të diskutojmë, siç kemi thënë gjithmonë. Ne kemi marrë pjesë në dialog edhe kur nuk na ka pëlqyer ai tekst, si në Bruksel ashtu edhe në disa vende të tjera, para vitit 2008 apo 2012. Është manipulim absolut, politizim për të marrë pikë politike. Nëse dikush me të vërtetë dëshiron të diskutojë të gjitha këto çështje, duhet të shprehë mendimin e tij, propozimet e tij, të thotë çfarë duhet dhe çfarë jo, çfarë është e pranueshme për të dhe çfarë nuk është e pranueshme.

Teorikisht mund të diskutojmë disa gjëra. Ne teorikisht, para vitit 2000, ju kujtoni, kishim DOS-i që fliste për çështjen e Kosovës si çështje demokratike. Se nuk ka lidhje me integritetin territorial. Se është një çështje demokratike, kështu që kur të largohet Millosheviqi, gjithçka do të zgjidhet. Doli të mos ishte kështu. Pastaj ne kishim standarde para statusit, kështu që edhe ai u braktis. Epo, në kohën e Tadiqit ishin dy rruga. Rruga të ndara - njëra ishte çështja e integrimeve evropiane dhe tjetra ishte çështja e Kosovës. Dhe duket se nuk do të përplasen me njëri-tjetrin. Megjithatë, ata u përplasën disi në këndin e parë.

Është e thjeshtë nëse uleni në një tarracë dhe nuk merrni pjesë në proces. Është e lehtë të japesh një mësim dhe të kritikosh gjithçka që bën dikush tjetër. Por kur keni një çështje si kjo, e cila është me rëndësi shtetërore dhe kombëtare, do të ishte e rëndësishme të dilni me një qasje unike për gjithçka. Cilat janë vijat tona të kuqe, çfarë pranojmë, çfarë mund të bëjmë. Ne duhet të dimë se çfarë nuk pranojmë. Dhe për çdo gjë tjetër, duhet të kemi taktika që të mos rezultojë se gjithçka dështoi për shkakun tonë. Dhe tani është e lehtë të thuhet se nuk do të marrim pjesë në dialog. Kjo nuk është e drejtë, sepse duke e bërë këtë ne po tërheqim të gjithë energjinë negative të botës mbi ne. Keni dëgjuar se çfarë tha presidenti. Bashkësia e komunave serbe duhet të formohet para se të shkohet më tej në këtë çështje. Dhe së dyti – ne mendojmë se për ne, edhe kjo është një vijë e kuqe që nuk do të mund ta kalonim, që ne të pajtohemi që Kosova të hyjë në Kombet e Bashkuara. Çdo gjë tjetër mund të diskutohet dhe kjo është qasja e duhur politike.

Më thuani çfarë ju thanë për vijat e kuqe këtu në Uashington?

Ata kanë pikëpamje të ndryshme, ata e kanë propozuar atë. E dini, ne nuk do të pajtohemi me ta për gjithçka. Sholle më tha: "Ju po humbni kohën me këto tërheqje të njohjes". Për tha, thjesht nuk është aq e rëndësishme. Është e rëndësishme për ne. Pse ka rendësi? Sepse ne nuk kemi mbështetjen e fuqive të mëdha, duhet të mbështetemi në numra, dhe ato shifra... nëse dikush dëshiron p.sh., të aplikojë për anëtarësim të Kosovës në OKB, për ne është shumë e rëndësishme se çfarë ato vende mendojnë, sepse në fund të fundit, ka parime me të cilat duhet votuar. Prandaj, nuk duhet të presim që ata t'i përshtatin pikëpamjet e tyre me tonat, por thjesht duhet të themi... ata kanë parasysh çfarë është e mundur për ne dhe çfarë nuk është e mundur. Mendoj se është i drejtë. Bisedimet ishin shumë të drejta, ata thanë se do të ishin transparente me ne. E them edhe një herë - ata folën shumë pozitivisht për Presidentin Vuçiq dhe qasjen e tij dhe qëndrimin e Serbisë në përgjithësi. Mendoj se duhet të përdoret për zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe.

Këshilltari Derek Sholle kohët e fundit foli për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, përmendi se Kosova duhet të formojë BKS në veri të Kosovës. A do të thotë kjo se bëhet fjalë vetëm për katër komuna apo bëhet fjalë për tërë territorin e Kosovës, ku kemi 10 komuna me shumicë serbe?

Dhjetë komuna. Nuk e di tash sa është i njohur ai me të gjitha këto apo a është i njohur, por në parim e dini kur i shikoni, këto janë komuna me shumicë serbe. Pra, për momentin janë dhjetë. Kështu ishte kur unë mora pjesë në të gjitha këto, mendoj se ky numër është i njëjtë edhe sot...

Dhe duhet të kishte një opsion që të anëtarësohej çdo komunë tjetër, ka shumë interpretime të ndryshme...

Por ne nuk kemi shkuar aq larg nga të gjitha këto. Pra, kjo është ajo për të cilën folëm 10 vjet më parë dhe kur detyra ishte që në kohën më të shkurtër të mundshme të përpunohej mënyra se si do të funksiononte. Dhe pastaj u ndal. Dhe pastaj filluan me ato histori se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, se nuk do ta pranojnë - edhe njërin edhe të dytën edhe të tretën edhe të pestën, secila që erdhi ishte më e keqe se e para. Dhe erdhëm në një situatë ku edhe 10 vjet më vonë ne ende po debatojmë nëse duhet të formohet një Bashkësi e komunave serbe apo jo. Dhe ky është "acquis communautaire" evropian (obligim i të gjitha vendeve që duan të anëtarësohen në BE, vërejtja e gazetarit). Pra, tani po na thonë se Serbia duhet të pranojë disa politika evropiane. Gjithçka është në rregull. Por a është marrëveshja e Brukselit pjesë e politikës evropiane? A ishte nënshkruar nga Ketrin Eshton? Pse nuk është në përputhje me politikën e Bashkimit Evropian? A do ta respektojë Prishtina këtë - jo.

Ne folëm për këtë në një mënyrë, dhe folëm se si të dizajnohet funksionimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, që realisht të jetë i rëndësishëm për popullin serb, të jetë përfaqësimi i tyre në Kosovë e Metohi. Natyrisht, askush nuk e ka marrë në konsideratë atë çështje, kështu që tani do të jetë një Republika Srpska e re apo diçka e tillë. As që na interesonte kjo. Por është e qartë se pala tjetër nuk dëshiron që asgjë që është serbe të shfaqet në skenën politike në Prishtinë. Prandaj ky pozicion i Amerikës është i rëndësishëm. Do të ishte shumë keq sikur Amerika të thoshte: “Tani nuk do të ndërhyjmë, e tash nuk insistojmë në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”. Dhe për këtë ne u jemi mirënjohës, sepse të them të drejtën, nëse nuk do të ishin ata që po udhëheqin, vështirë se dikush tjetër mund ta shtyjë atë, e kam fjalën për vendet evropiane.

Nëse Kosova është problemi numër një në rrugën evropiane të Serbisë, atëherë pranë Kosovës është fakti që Serbia ende nuk është pajtuar me politikën e jashtme të BE-së dhe nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Ju tashmë keni folur disa herë për këtë temë që nga kthimi në postin e shefit të diplomacisë, madje edhe në intervistë për Zërin e Amerikës. Ju thatë se Serbia nuk mund ta lëshojë dorën ruse që e mban mbi greminë, derisa Perëndimi t'i japë dorën. A e shihni akoma kështu situatën?

Ne duhet të shikojmë kështu sepse nuk mund ta shikojmë atë pozicion ndryshe, sepse duhet ta imagjinojmë veten në atë pozicion. Njëra është çështje parimore, sa i përket kësaj, Serbia është jashtëzakonisht parimore, ne dënojmë shkeljen e integritetit territorial. Problemi këtu është se as perëndimi dhe as lindja nuk janë mjaft parimore, pra e interpretojnë ndryshe parimin e integritetit territorial. Kur bëhet fjalë për Perëndimin, ata mendojnë se duhet mbrojtur integriteti territorial i Ukrainës, por se çështja e integritetit territorial të Serbisë d.m.th. Kosovës është një çështje tjetër, ata gjithmonë interpretojnë se është çështje për vete. Por çdokush mund të mendojë se pyetja e tij është një pyetje për vete, jashtë të gjitha kornizave të tjera, edhe nëse nuk është përjashtim por i përket diçkaje që quhet korpus pyetjesh në vetvete.

Mirëpo, kur është fjala për Lindjen, vijnë dhe thonë - nëse mundet Kosova, atëherë provincat në Ukrainë mund të shpallen shtete të pavarura, dhe tani na mbështesin në anën tjetër në Kombet e Bashkuara. Ata e përdorin atë shembull për interesin e tyre, që ka ndodhur me Kosovën. Pra, ne tani duhet të shikojmë interesin tonë, dhe ai interes është që nëse nuk e kemi përfunduar dialogun me Prishtinën, atëherë nuk është korrekte që dikush ta shtyjë Prishtinën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, apo OKB-së apo BE-së. Përderisa është kështu, derisa nuk kemi garanci nga Perëndimi se ata do të jenë të drejtë me ne, nuk mund të heqim dorë lehtë nga qëndrimi ynë dhe votat e sigurta kur është fjala për qëndrimin për Kosovën e Metohinë.

Dhe kjo është thelbi, dhe nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë, ka vende të tjera që janë nën ndikimin e sanksioneve, dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të kujdesemi. Në fund të fundit, tani nuk mund ta interpretojmë në një mënyrë ose në një tjetër, çdo vend do të vepronte njësoj në vendin tonë, dhe ata vepruan njësoj në historinë e tyre.

Ju përmendët gjithashtu se Serbia mund të rishqyrtojë qëndrimin e saj nëse vendimi për të mos vendosur sanksione i shkakton Serbisë një dëm që nuk mund të tolerohet, siç është rasti tani. A jemi afër që dëmi të bëhet shumë i madh?

Mendoj se nuk jemi afër, sepse atëherë nuk do të ishte në interesin e Serbisë. Ne do të duhej ta pranojmë atë, edhe pse nuk është në interesin e Serbisë. Ne duam të krijojmë një situatë ku ky është… interesi i Serbisë është t'i bashkohemi ndonje politike te re, marredhenieve me shtetet perendimore... kështu që ne duhet të kërkojmë emëruesin më të ulët ose më të lartë të përbashkët, gjithsesi, dhe nuk është një proces i lehtë dhe i thjeshtë, kështu që mendoj se jemi larg asaj situate. Pse? Sepse pyetja më e rëndësishme këtu tani, dhe mendoj se është çështja e të gjitha çështjeve, është çështja e Ukrainës. Për ne ajo çështje nuk mund të ndahet nga çështja e Kosovës, pra nga çështja e integritetit territorial të Serbisë. Është e rëndësishme që ata që duan të diskutojnë me ne të kenë një kuptim të pozicionit tonë.

Një nga çështjet dypalëshe në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së që nuk është zgjidhur prej shumë vitesh është çështja e vrasjes së vëllezërve Bitiqi? A ishte kjo një temë gjatë kësaj vizite? Deri ku ka arritur ky rast në Serbi?

Jo, këtë herë nuk fola për këtë, sepse tani ishin në rend dite tema të tjera më aktuale, por është një temë që zyrtarët amerikanë e ngrenë rregullisht. Ata kanë përgatitjet e tyre për takimin dhe kjo pyetje është gjithmonë ndër temat në përgatitjen e atyre takimeve. Ata nuk do të heqin dorë nga kjo. Nuk kam njohuri, pasi nuk kam qenë Ministër i Jashtëm për dy vjet, nuk jam futur në detaje të atyre rasteve, por sigurisht që është diçka me të cilën do të duhet të përballemi në periudhën e ardhshme.