Daçiq: Turqia të përdorë ndikimin e saj në Prishtinë në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit

Ivica Dačić
Burim: Euronews Srbija

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha sot në Ankara, pas takimit me homologun e tij turk Mevlut Çavushoglu, se Serbia do të dëshironte që Turqia të ishte një faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajonin tonë dhe se kërkesa është që Turqia të përdorë ndikimin e saj në Prishtinë për çështjen e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit në Kosovë, raporton RTV.

Daçiq tha në konferencën për shtyp se me Çavushoglu ka diskutuar edhe për situatën aktuale në Ballkan.

“Ne do të dëshironim që Turqia të jetë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit rajonal në rajonin tonë dhe kjo do të thotë se kërkesa jonë është që Turqia të përdorë ndikimin e saj kur bëhet fjalë për Prishtinën për të pasur një marrëdhënie konstruktive me Prishtinën në lidhje me zbatimin e Marrëveshes së Brukselit dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara më parë, në mënyrë që të diskutojmë për zgjidhje të përhershme politike”, tha Daçiq.

Ai ka thënë se në çdo rast duhet të parandalohet situata që, siç tha ai, të gjithë individualisht të jemi faktorë dhe pjesëmarrës në diçka që është problem, dhe të jemi pjesë e zgjidhjes së problemit.

Ai tha se pavarësisht se për disa çështje mund të mendojmë ndryshe, duhet të veprojmë së bashku dhe të zhvillojmë një atmosferë besimi reciprok.

“Prandaj jam i lumtur të konfirmoj se unë dhe presidenti Alleksandar Vuçiq do të marrim pjesë këtu në të gjitha forumet që po organizohen. Po ashtu presim vizita në rajonin tonë nga ministrat dhe presidenti i Turqisë. Do të kemi një vazhdim të suksesshëm të bashkëpunimi edhe në periudhën e ardhshme. Marrëdhëniet tona janë në nivel shumë të lartë dhe falënderoj të gjithë ata që kontribuan në të, dhe në masën më të madhe presidentët Erdogan dhe Vuçiq”, tha Daçiq.

Çavushoglu: Kjo është epoka e artë e bashkëpunimit mes Serbisë dhe Turqisë

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu vlerësoi se Serbia dhe Turqia janë në "epokën e artë" të bashkëpunimit dypalësh dhe këtë e theksoi jo vetëm në një bisedë me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, por edhe në një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

Pas bisedës me Daçiqin në Ankara, ai tha se Turqia do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e marrëdhënieve dhe theksoi se Turqia është e gatshme të ndihmojë Serbinë në lidhje me vershimet e fundit.

Çavushoglu shtoi se Turqia ka pasur më së shumti vizita me Serbinë, krahasuar me vendet e tjera, dhe kujtoi se të dy vendet diskutuan për forcimin e infrastrukturës në shtator.

“Gjatë mandatit tim kam qenë pesë herë në Serbi, kam marrë pjesë në shumë takime, jam i lumtur për bashkëpunimin dhe që mund të shkëmbejmë përvojat tona. Kemi biseduar edhe për ekonominë dhe turizmin, të zhvillojmë atë vëllim që aktualisht është 2.5 miliardë dollarë, dhe qëllimin e kemi 5 miliardë dollarë. Për këtë do të përpiqemi në periudhën e ardhshme, por edhe në fusha të tjera”, tha ai.

Duke folur për investimet, Çavushoglu tha se investimet janë rritur nga një milion në 400 milionë dollarë dhe qeveria është përgjegjëse për këtë, e cila u ndihmon kompanive turke të zgjidhin shpejt problemet e tyre.

“Edhe një degë tjetër e Halk Bank është hapur dhe planifikojmë të hapim edhe më shumë, që të jenë gjithsej 40. Kjo do të jetë një mbështetje e madhe për kompanitë tona dhe ekonominë e Serbisë. Bashkëpunimi ynë në sektorin bankar është shumë i rëndësishëm. Kur shikojmë të gjitha format e bashkëpunimit, takimi i katërt të komisionit të përzier të tregtisë është i nevojshëm”, tha Çavushoglu.

Ai shtoi se ministritë e mbrojtjes kanë bashkëpunim të mirë, si dhe se përpiqen ta zhvillojnë edhe më shumë.

Çavushoglu thekson se për të rritur turizmin është shtuar numri i fluturimeve dhe se ky numër do të rritet ndjeshëm kur të futet udhëtimi me letërnjoftim.

“Momentalisht kemi një fluturim direkt në Ankara dhe Stamboll, do të shtohet edhe Izmiri. Kemi fluturime çarter për në Alania, ajo linjë do të jetë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Do të rrisim numrin e fluturimeve, tani kemi tre misionet diplomatike, sepse zyra konsullore është hapur në Nish”, tha ai.

Ai falënderoi Daçiqin për sigurimin e lejeve për restaurimin e xhamisë së Bajraklit në një periudhë të shkurtër kohore, e cila duhet të fillojë në shkurt.

Ai përshëndeti edhe idenë e binjakëzimit të qyteteve të dy vendeve dhe shtoi se me Daçiqin ka biseduar për Sanxhakun.

"Turqia ka një qëndrim tjetër ndaj saj dhe ne i kushtojmë rëndësi zhvillimit. Faleminderit Vuçiqit për zhvillimin e këtij rajoni. Plus ju keni dy ministra të kombësisë boshnjake, që tregon politikën gjithëpërfshirëse të Vuçiqit. Një kompani turke ka punuar në një rrugë afër Tutinit, faleminderit për atë projekt, sepse ndërtimi i rrugës po shkon mirë dhe ne duhet të mbështesim Bosnjën e Hercegovinën që të punojë me të njëjtën shpejtësi në atë rrugë”, tha Çavushoglu.

Ai theksoi gjithashtu se të dy vendet kanë një çështje të përbashkët të emigrantëve dhe se ministritë e brendshme bashkëpunojnë, sepse paqja dhe stabiliteti janë shumë të rëndësishme.

"Në Bosnjë po formohet aktualisht një qeveri dhe ne kemi nevojë për një qeveri që do të punojë për të. Duhet bashkëpunim trepalësh midis Serbisë, Turqisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ne presim që puna të vazhdojë dhe të përmirësohet bashkëpunimi", tha Çavushoglu.

Si një nga temat e takimit, ai vuri në dukje integrimin evropian të Serbisë dhe theksoi se Turqia dëshiron ta zgjidhë atë në mënyrën më adekuate.

Daçiq: Në këtë sezon turistik njerëzit do të hyjnë në Turqi me letërnjoftime

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i punëve të jashtme Ivica Daçiq tha sot se është i sigurt se turistët nga Serbia do të udhëtojnë në Turqi këtë verë vetëm me letërnjoftim.

Daçiq tha se marrëveshja për udhëtimin vetëm me letërnjoftim mes Turqisë dhe Serbisë është nënshkruar vitin e kaluar, por parlamentet e të dy vendeve duhet ta ratifikojnë atë.

Siç theksoi ai, Turqia e ka bërë dhe ka mbetur obligim edhe për Serbinë, por që nuk ka qenë e mundur për shkak të shpërndarjes së parlamentit dhe zgjedhjeve.

"Ju e dini që ka pasur zgjedhje, pastaj formimi i qeverisë, kështu që parlamenti ka filluar punën në pjesën legjislative vetëm në fund të tetorit. Mund të prisni që gjithçka të përfundojë shumë shpejt. Jam i sigurt se sezoni i ri turistik do të mund të vazhdojë sipas asaj marrëveshjeje”, tha Daçiq.