Deda: Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE aktualisht nuk është në tavolinë në Bruksel

Iljir Deda
Burim: Kosovo Online

Bashkëpunëtori i Institutit për Shkenca Humane nga Vjena, Ilir Deda, thotë se kërkesa e Kosovës për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian aktualisht nuk është në tavolinë në Bruksel, pavarësisht se zyrtarët kosovarë besojnë se ka ardhur momenti.

“Të gjithë mund të presin diçka. Pavarësisht kërkesave të tilla, ka pritshmëri konkrete të Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë nga qeveria e Kosovës dhe vendimet që duhet të merren për Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit më 14 tetor, gjë që ndoshta mund të hapë dyert për diskutime shtesë lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Deda për Kosovo online.

Ai ka theksuar se kjo temë ka qenë “pjesë e pakos” nga fillimi i këtij viti, por që Qeveria e Kosovës e ka refuzuar.

“Kjo është shqyrtuar kur ka qenë aktuale çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kur Kosovës i është kërkuar që në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtohet drafti i Statutit të Asociacionit të Komunave Serbe. Në atë kohë, pjesë e pakos më të gjerë të marrëveshjeve ishte edhe shqyrtimi i vendimit të Bashkimit Evropian për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, të cilin Kosova e kishte paraqitur dy vite më parë. Tani nuk është më në tavolinë dhe nuk besoj se për këtë po mendohet brenda BE-së”, tha Deda.