Delegacioni i Kuvendit të Serbisë në AP të NATO: Serbët në Kosovë të kërcënuar fizikisht, ligjërisht dhe politikisht
Shefja e delegacionit të Asamblesë Kombëtare të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Natasha Jovanoviq, ka theksuar gjatë debatit në lidhje me draft-raportin e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri “Ballkani Perëndimor – sfidat e ripërsëritura të sigurisë para derës së NATO-s”, ndaj realitetit jashtëzakonisht kompleks në Kosovë, duke kujtuar kërcënimin fizik, juridik dhe politik të serbëve në Kosovë.
Siç thuhet në njoftimin e Kuvendit të Serbisë, Jovanoviq ka theksuar diskriminimin institucional të përhapur të serbëve në Kosovë në çdo aspekt – administrativ, legjislativ, gjyqësor, prokurorial, pasuror, shëndetësor.
Ajo kujtoi kompleksitetin e shqyrtimit të situatës në Kosovë, pasi siç tha ajo, bëhet fjalë për shkëputje të njëanshme të një pjese të territorit të një shteti të njohur ndërkombëtarisht.
“Gjithçka që ndodh në KdheM dhe në lidhje me KdheM është një problem politik, juridik dhe territorial që duhet të zgjidhet me marrëveshje, në të njëjtën kohë pala prishtinase refuzon të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura dhe vazhdon të marrë masa të njëanshme të paligjshme dhe pas më shumë se 11 vite nuk e ka formuar AKS dhe nuk i ka përmbushur obligimet tjera të marra”, ka thënë Jovanoviq, thuhet në njoftim.
Ajo kujtoi se serbët në Kosovë janë viktima të tri valëve të veçanta të dhunës dhe eksodit që pasuan secilën prej tyre.
I pari ishte, siç tha ajo, në qershor dhe korrik 1999, e dyta ishte gjatë dhe pas dhunës së marsit të vitit 2004, dhe e treta aktualisht po vazhdon së bashku me qeverinë e dytë të Albin Kurtit dhe lëvizjet e tij të njëanshme në dëm të komunitetit serb.
U theksua se në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vetëm KFOR-i mund të veprojë si forcë e armatosur legale dhe legjitime në territorin e Kosovës dhe se përpjekjet e çdo subjekti tjetër për të kryer këto funksione janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Deputeti Goran Rakiq theksoi se serbët në Kosovë çdo ditë përballen me një situatë shumë të vështirë dhe se atyre u mohohen të drejtat më elementare të njeriut. Ai përkujtoi se Prishtina nuk ka përmbushur asnjë nga marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe obligimin për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Nëse nuk formohet AKS, do të vihet në pikëpyetje edhe besueshmëria e BE-së dhe NATO-s”, tha ai.
Siç thuhet në njoftim, delegacioni serb ka falënderuar anëtarët e misionit të KFOR-it, të cilët në bazë të mandatit të besuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kujdesen për sigurinë e serbëve në Kosovë, si të vetmet forcat ligjore dhe të armatosura legjitime në atë zonë.
Gjithashtu, anëtarët e delegacionit të Asamblesë Kombëtare patën një sërë takimesh dypalëshe, në margjinat e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje. Ndër të tjera, është zhvilluar një takim me shefin e delegacionit amerikan në AP të NATO-s, Majkl Tarner, të cilit i është dorëzuar një letër nga kryetari i Kuvendit Kombëtar të Serbisë, në të cilën anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s u kërkohet të mos miratojnë vendim për dhënien e statusit të asociuar Kuvendit të Kosovës.
Siç kanë thënë ata, kjo do të përfaqësonte një “shpërblim” për sjelljen e pamatur të Prishtinës, e cila po bën gjithçka që është e mundur për të penguar dialogun dhe për të mos përmbushur obligimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit.
0 komentet