Departamenti Amerikan i Shtetit përfshiu çështjen e ndalimit të serbëve të arrestuar në Raportin e të Drejtave të Njeriut

Priština
Burim: Kosovo Online

Në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2022, si një ndër problemet është përfshirë edhe çështja e paraburgimit të serbëve të arrestuar.

“Paraburgimet e gjata, mesatarisht gjashtë muaj, para dhe gjatë proceseve gjyqësore, janë ende problem”, thuhet ndër të tjera në Raportin për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.

Siç thuhet, ligji i lejon gjyqtarët të urdhërojnë paraburgimin e të pandehurve deri në gjykim, nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se ai ka gjasa të shkatërrojë, fshehë ose falsifikojë provat, të ndikojë mbi dëshmitarët, të arratiset, të përsërisë veprën penale; të marrë pjesë në një vepër tjetër penale; ose të mos paraqitet më vonë në gjykatë.

Shtohet se paraburgimi afatgjatë është pjesërisht pasojë e joefikasitetit të gjyqësorit, por edhe e korrupsionit.

Institucioni i Avokatit të Popullit njoftoi se nuk ka vlerësim nëse paraburgimi shpesh barazohet apo tejkalon dënimin maksimal për veprat e supozuara penale.

Në raport thuhet se liderët serbë të Kosovës kanë shprehur shqetësimin për paraburgimin e gjatë të dy personave që u arrestuan në dhjetor 2021 me akuza për korrupsion, për të cilat është paraparë dënimi prej një deri në pesë vjet.

“Ligji ndalon paraburgimin mbi katër muaj për vepra penale për të cilat është paraparë dënim me burg më pak se pesë vjet. Deri në tetor nuk është ngritur asnjë aktakuzë formale”, thuhet në raport.

Ndër problemet e përmendura në raport janë krimet apo kërcënimet ndaj pakicave etnike dhe grupeve të tjera të margjinalizuara.

Shtohet se ligji parashikon sanksione penale për zyrtarët e përfshirë në korrupsion, por se Qeveria nuk e zbatoi ligjin në tërësi.

“Ka pasur disa raste të denoncimit të korrupsionit në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe brishtësia e zbatimit të ligjit kanë çuar në këtë problem”, thuhet në raport.

Në raportin për vitin 2022, po ashtu përmendet se organizatat joqeveritare në Kosovë, por edhe organizatat ndërkombëtare, disa herë kanë theksuar dështimin e sistemit gjyqësor në ndëshkimin e rasteve të korrupsionit, prandaj, shumë pak raste të zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe këto vepra, kanë përfunduar me dënim.

Për më tepër, në pjesën për korrupsionin janë përmendur dy hetime të mëdha për korrupsionin në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në dokument thuhet gjithashtu se ndër problemet është korrupsioni i rëndë në qeveri dhe mungesa e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore. Përmendet dhunimi i një vajze njëmbëdhjetëvjeçare në Prishtinë nga pesë të dyshuar, një i rritur dhe katër të mitur, si dhe vrasja e një gruaje shtatzënë 35-vjeçare në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në muajin nëntor, si dhe fakti se i dyshuari, bashkëshorti i saj, i ka shpëtuar arrestimit dhe ka kryer vetëvrasje dy ditë më vonë.