Departamenti i Shtetit: Jemi të zhgënjyer nga veprimi i Policisë së Kosovës në bankat në veri të Kosovës

Stejt Department
Burim: Print Screen/You Tube

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se është i zhgënjyer “që Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime në institucionet financiare në veri të Kosovës me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

“Pyetjet në lidhje me këto zyra ishin objekt i diskutimeve të gjata në kuadër të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ky veprim nuk është i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet. Kjo minon perceptimin e mirëbesimit të Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të hapura me Serbinë përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Siç thuhet më tej në përgjigjen e zëdhënësit së Departamentit të Shtetit, “Qeveria e SHBA-së vazhdimisht ka bërë thirrje për koordinim ndërmjet qeverive tona për të mbështetur progresin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe hera e fundit kjo është bërë nga nënsekretari Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.

Ata po ashtu ritheksojnë “shqetësimin e qartë” të SHBA-së lidhur me zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila kufizon importin dhe përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si një kanal i përshtatshëm për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe ata nga minoriteti serb - i ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloret e monedhës”, thanë nga Departamenti i Shtetit për Zërin e Amerikës.