Dioqeza rashko-prizrenase: Ndalimi i dinarit do të bllokojë jetën normale në mjediset serbe
Për shkak të synimit të institucioneve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e monedhës së dinarit dhe pagesat në dinarë në territorin e Kosovës, në kundërshtim me këshillat e shumta ndërkombëtare dhe kundërshtimin e fortë të popullit serb në Kosovë, Dioqeza rashko-prizrenase ngre zërin e protestës lidhur me këtë vendim dhe apelon tek institucionet ndërkombëtare që ta ndalojnë Prishtinën nga spastrimi i plotë etnik i Kosovës.
Siç thuhet në njoftimin e dioqezës, vendimi i institucioneve të Kosovës për ndalimin e dinarit do të ketë një ndikim të thellë negativ, jo vetëm te populli serb në Kosovë, por edhe te komunitetet tjera pakicë që përdorin dinarin, dhe do të bllokojë plotësisht jetën normale në komunitetet serbe.
Ata shtojnë se ndalimi i dinarit do ta vështirësojë shumëfish dhënien e pagave, pensioneve, beneficioneve sociale, donacioneve, bursave, do të bllokojë punën humanitare nga e cila varen sidomos shtresat më të cenueshme sociale, do të pamundësojë financimin normal të institucioneve shëndetësore dhe shkollore në të cilat mbështetet jeta në zonat e banuara me serbë, si dhe do të ketë një ndikim të rëndë në jetën e Kishës Ortodokse Serbe.
“Fatkeqësisht, institucionet e Kosovës jo vetëm që penguan kthimin e njerëzve tanë të mërguar në shtëpitë e tyre, tashmë janë duke inkurajuar në mënyrë aktive emigrimin e mëtejshëm të serbëve përmes represionit policor, zbatimit selektiv të ligjeve, përvetësimit të dhunshëm të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore serbe, mohimit të identitetit serb dhe të drejtës për jetë. Në këto rrethana, mund të thuhet fare qartë se është duke u zhvilluar një proces i hapur i spastrimit etnik të serbëve të mbetur në Kosovë dhe Metohi, i cili kryhet me metoda institucionale dhe policore”, thuhet në njoftim dhe shtojnë se nëse zbatohet edhe kjo masë represive e Prishtinës, Kosova praktikisht do të bëhet një territor etnikisht i pastër shqiptar, edhe pse aktualisht po largohen më shumë shqiptarë të Kosovës.
Ata thanë se përkeqësimi i krizës tashmë ekzistuese me provokime të reja pashmangshmërisht do të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe do të bllokojë plotësisht çdo dialog të mëtejmë.
“Roli i pengjeve iu imponua serbëve të Kosovës, të cilët trajtohen nga Prishtina si qytetarë të dorës së dytë dhe një popullatë haptazi e padëshirueshme, ndoshta me shpresën se Beogradi do të bëjë lëshime politike nën një shantazh të tillë”, thuhet në deklaratë.
Ata shprehën shqetësimin e thellë se kjo logjikë jo vetëm nuk do të zgjidhte problemin, por do ta vështirësonte edhe më shumë për të gjithë.
“U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë, duke qenë se Kisha jonë tashmë po injorohet plotësisht nga institucionet e Kosovës dhe po i ekspozohet persekutimit të hapur, të ndalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm që mund të kërcënojë mbarë Ballkanin dhe rrjedhimisht Evropën. Politika e shantazhit, represionit etnik, zbatimi selektiv i ligjeve, metoda policore e detyrimit dhe e frikësimit nuk ka çuar askund në krijimin e një shoqërie të qëndrueshme, por një shoqëri e bazuar në themele të tilla izolohet ekonomikisht dhe politikisht me tendenca negative demografike gjithnjë e më intensive”, kanë thënë nga Dioqeza.
Shtohet se KOS ndau me popullin besimtar të gjitha fatkeqësitë gjatë historisë, duke qëndruar dhe mbijetuar në trevat e saj shekullore, duke mos hequr dorë asnjëherë nga vullneti i saj për të jetuar në paqe dhe respekt të ndërsjellë me të gjithë njerëzit në Kosovë, pavarësisht nga origjina e tyre fetare dhe etnike.
“Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar ndaj kësaj qasjeje ungjillore, por në të njëjtën kohë duke duruar padrejtësitë e shumta që bëhen kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe popullit tonë, në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë nga perëndimi, nuk mund të heshtim ndaj represionit institucional që po merr vrull dhe qëllimi i të cilit është persekutimi i plotë i popullit serb nga këto treva dhe fshirja e historisë shekullore të serbëve dhe kishës ortodokse serbe në Kosovë e Metohi, ku populli ynë dha një kontribut të madh historik, kulturor dhe qytetërues”, thuhet në deklaratë.
0 komentet