Drecun: Hetimi i konfliktit në Banjskë është vendimtar për dialogun dhe marrëdhëniet e Perëndimit me Beogradin

Milovan Drecun
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Këshillit Parlamentar për Kosovë dhe Metohi, Millovan Drecun, thotë se pyetja kryesore për situatën në Kosovë është se si do të përfundojë hetimi i konfliktit në Banjskë dhe versioni i kujt do të pranohet, shkruan RTS.

“Nëse pranohen rezultatet e hetimit tonë, do të kemi një qetësim të situatës”, thotë Drecun dhe thekson se Prishtina po mundohet ta shfrytëzojë situatën kundër Beogradit, duke theksuar se tani askush nuk po flet për zgjedhjet në veri, as për AKS.

Drecun tha se zhvillimi i ngjarjeve do të varet nga ajo që do të tregojë hetimi i konfliktit në Banjskë, duke theksuar se çështja kryesore është se versioni i kujt do të pranohet, sepse hetimin po e kryen edhe Beogradi edhe Prishtina.

“Beogradi është duke bërë një hetim dhe kjo është shumë mirë. Hetimi ka filluar menjëherë, është arrestuar Milan Radoiçiq, është dërguar në paraburgim. Ky hetim tashmë tregon se armët janë marrë nga jashtë Serbisë, se këto janë kanale ilegale, se ajo është kontrabanda e armëve. Ky hetim nëse do të rezultojë dhe nëse rezultatet e atij hetimi pranohen, nëse del se shteti i Serbisë nuk është i përfshirë në të gjitha këto, do të jetë një hap shumë i mirë për ne" thotë Drecun.

Mirëpo, vëren ai, hetimin po e bën edhe Prishtina dhe, siç thotë ai, në të janë të përfshirë edhe disa zyrtarë amerikanë.

"Rezultati i hetimit do të gjurmojë një rrugë të mëtejshme, si për sa i përket dialogut në Bruksel, ashtu edhe për sa i përket marrëdhënieve të Perëndimit politik ndaj Beogradit, gjegjësisht ndaj shtetit të Serbisë. Nëse rezultatet e atij hetimi pranohen nga perëndimi politik, rezultatet e hetimit tonë, atëherë do të kemi një qetësim të situatës”, thotë Drecun.

Ai është i bindur se Prishtina do të mundohet ta shfrytëzojë gjithë situatën kundër Beogradit dhe Listës Serbe.

“Tani e shihni, askush nuk po flet më për zgjedhje të reja në veri të Kosovës. E shihni që zyrtarët e vetëqeverisjes së panjohur të Prishtinës tashmë po flasin për faktin se Asociacioni i Komunave Serbe është thjesht i panevojshëm, se duhet të të mos formohen, se është e tepërt, sepse e ashtuquajtura kushtetuta e tyre garanton pozitën e pakicave”, thotë Drecun.

Në këtë kontekst, ai po ashtu thotë se në një intervistë për CNN, Vjosa Osmani tha se në ditët në vijim do të prezantojë dëshmi se gjoja presidenti Vuçiq ka urdhëruar grupin nga Banjska se çfarë duhet të bëjnë.

“Tani po përgatisin një fushatë shtesë, po përgatiten të fabrikojnë një lloj prove të pretenduar dhe kjo tregon se përmes Radoiçiqit duan të arrijnë tek presidenti Vuçiq, gjegjësisht në shtetin e Serbisë, sepse akuzuan presidentin Vuçiq, ministërin e mbrojtjes Vuçeviq dhe shefat e Policisë Kufitare se në fakt janë ata që janë përgjegjës dhe në anën tjetër duan të eliminojnë veprimtarinë politike të Listës Serbe dhe me këtë të thyejnë unitetin politik të Listës Serbe”, thotë Drecun.

Kjo tregon përgjegjësinë e Perëndimit politik për sjelljen e Prishtinës - si për terrorin ndaj popullit serb ashtu edhe për krizën aktuale.

Kryetari i Këshillit parlamentar thekson se përpjekjet e Kurtit për të kontrolluar veriun e Kosovës “dhe për të detyruar serbët që jetojnë në veri të integrohen në një shtet të rremë” tregojnë se ai nuk i njeh këta njerëz, vullnetin dhe vendosmërinë e tyre për ta kundërshtuar atë.

“Ai po mundohet të vendosë kontrollin policoro-ushtarak dhe ta kompletojë kontrollin e veriut të Kosovës dhe tani i duhet vetëm hyrja e të ashtuquajturës ushtri që po krijohet në veri të Kosovës dhe po përgatitet për ketë. Unë mendoj se kjo po i shkon shumë mirë tani, sepse ai vazhdimisht po përpiqet ta paraqesë veriun si vatër të grupeve kriminale dhe terroriste dhe se për këtë duhet ndihma e atyre formacioneve të të ashtuquajturës FSK, Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha Drecun.

Ai gjithashtu shton se ishte i shqetësuar nga deklarata e fundit nga Prishtina se miratimi i komandantit të KFOR-it për hyrjen e forcave të sigurisë së Kosovës në veri do të jetë së shpejti i panevojshëm.

“Është një mundësi ideale për të që në periudhën e ardhshme të kërkojë hyrjen së paku të njësisë speciale antiterroriste të FSK-së në veri të Kosovës me pretekstin e zbatimit të disa masave antiterroriste”, thotë Drecun.

Ai beson se ka një aktivitet të fuqishëm nga Perëndimi për të dërguar vazhdimisht mesazhin se masat ndaj Beogradit janë të mundshme, nëse ka lidhje me ngjarjet në Banjskë.

Duke komentuar rolin e Perëndimit, Drecun thotë se Gjermania është pro zgjidhjes së statusit të Kosovës, siç thotë ai, me hir apo forcë, ndërsa SHBA-të kanë një qasje më të balancuar.

Ai thekson gjithashtu se shërbimet e Britanisë së Madhe janë shumë aktive në ketë hapsirë.

“Si, për shembull, kanë mundur të marrin informacion në Prishtinë se ky grup do të qëndrojë p.sh. në zonën e fshatit Banjskë dhe të gjitha këto, për të përgatitur kurth për atë grup. Duket se dikush tashmë ka arriti të merrte disa informacione përmes punës së inteligjencës”, tha Drecun dhe kujtoi deklaratën e deputetit britanik për KOS.

Ai thekson se qëllimi politik është i njëjti – që Kosova të jetë shtet për ta, dhe se ata besojnë se duhet të ketë kontroll mbi të gjithë territorin.

Drecun thekson se për zgjidhjen e çështjes së Kosovës më e rëndësishmja është nëse populli serb mund të mbijetojë në Kosovë, si ta definojë statusin e saj.

Ai pretendon se këtë po e diskutojnë me amerikanët, ndërsa Gjermanisë, tregon ai, nuk i intereson.

Ai thekson se kriza në veri të Kosovës është rezultat i mospërmbushjes së obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit nga Prishtina dhe nuk po vuan asnjë pasojë për këtë.

Ai kujton se kanë kaluar 10 vite dhe Asociacioni i Komunave Serbe nuk është formuar.