Drecun: Nëse nuk flasim për tërheqjen e njësive speciale nga veriu, nuk do të hiqen shkaqet e krizës
Kryetari i Komisionit të Kuvendit Popullor për Kosovën e Metohinë, Millovan Drecun, tha për RTS-në se nuk kanë marrë shumë informacione të detajuara për marrëveshjen e mundshme me Kurtin, por se sipas asaj që ka dëgjuar, nuk ka përparim në çështjen e de-eskalimit.
“Dëgjuam nga z. Escobar në konferencën e mëvonshme për media se nuk ka progres apo marrëveshje në lidhje me Bashkësinë e Komunave Serbe, sepse ai tha se Bashkësia do të formohet me ose pa Kurtin. Edhe pse, të them të drejtën, nuk është mjaft e qartë çfarë do të thotë Escobar me këtë”, tha Drecun.
Ai shtoi se nuk i duket reale që do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë sepse Kurti tani ka shumë hapësirë për manovrim sepse Perëndimi, veçanërisht SHBA, po nxitojnë të arrijnë marrëveshje për shkak të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe fushata që do të nisë.
“Nëse do të kishte zgjedhje të reja në Kosovë, atëherë i gjithë procesi do të zgjatej së paku për dy, tre muaj dhe kjo është diçka që nuk i shkon për shtat SHBA-së”, tha Drecun.
Ai ka vlerësuar se jemi shumë larg formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe dhe se Escobar ka thënë se nga Kurti dëgjuan atë që ai nuk donte, por jo edhe atë që donte.
“Pse po flasim vetëm për eliminimin e pjesshëm të shkaqeve të kësaj krize – po flasim për tërheqjen e pjesëtarëve të njësive speciale parapolicore nga tri komuna në veri të Kosovës e Metohisë. Janë katër komuna në veri. Së dyti, problemi kryesor nuk është të tërhiqemi vetëm nga ato ndërtesa, por të tërhiqemi në përgjithësi nga veriu i Kosovës. Nëse nuk diskutohet për këtë, nuk po i largoni plotësisht shkaqet e krizës”, tha Drecun.
Ai shpjegoi se qëndrimi i Beogradit është që BKS të formohet në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa qëndrimi i Perëndimit është që të hapen negociata të reja për formimin e Bashkësisë bazuar në marrëveshjen e propozuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe vizionin e Kurtit.
“Vizioni i Kurtit, të cilin ia prezantoi presidentit Vuçiq në takimin e fundit, është që Kosova të trajtohet realisht si shtet dhe që përmes Bashkësisë së Komunave Serbe, siç do ta quante ai, që është çështje më vete, Beogradi duhet ta njohë realisht atë shtet të rremë dhe që serbët ta pranojnë”, ka thënë Drecun.
komentet