Edshtadller: Përparimi në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit
Ministrja e Austrisë për BE-në dhe Çështjet Kushtetuese, Karolline Edshtadller, e cila do të vizitojë Beogradin të hënën, ka theksuar se përparimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për stabilitetin e rajonit.
"Përparimi në dialog është i domosdoshëm për stabilitetin e rajonit. Ne presim angazhim të mëtejshëm konstruktiv të palëve në mënyrë që të zbatohen shpejt të gjitha marrëveshjet", tha Edshtadller në një deklaratë për Kosovo Online.
Ajo theksoi se Austria e mbështet Bashkimin Evropian në rolin e saj si ndërmjetës në dialog.
Edshtadller të hënën do të bisedojë me Kryeministren serbe, Ana Brnabiq, Ministren për Integrime Evropiane, Tanja Mishqeviq, si dhe është planifikuar një vizitë në NALED, u njoftua në Vjenë.
Në fokus të bisedës do të jetë përparimi i Serbisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të luftës në Ukrainë.
"Është e rëndësishme që Evropa të jetë e bashkuar, si një komunitet vlerash, dhe të mos lejojmë ndarje. Këtu, natyrisht, përfshihen edhe vendet kandidate, të cilat janë partnerë të pazëvendësueshëm për ne", theksoi Edshtadller.
Gjatë vizitës në Beograd, Edshtadller synon të bëjë homazhe për viktimat e vrasjeve të tmerrshme të ndodhura rreth 10 ditë më parë.
0 komentet