Eskobar paraqiti raportin: Thirrje Sërbisë dhe Kosovës të përmbushin marrëveshjet, detyrimi kyç BKS

Gabrijel Eskobar
Burim: Screenshot

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar, ka paraqitur përpara Komitetit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington, raportin rreth angazhimit të SHBA në Ballkan duke i bërë thirrje edhe një herë Sërbisë dhe Kosovës të përmbushin marrëveshjet duke thënë se detyrimi kyç ndaj Kosovës, është formimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe.

Eskobar në raport ka thënë se politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor është e bazuar në princip të thjeshtë-vazhdimin e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike.

"Ky integrim forcon Europën si partner gjeostrategjik; forcon qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit; i bën vendet e Ballkanit Perëndimor më të sigurta dhe më të begata-e kështu e shndërron rajonin si partner më të mirë të sigurisë dhe tregtisë për Shtetet e Bashkuara” tha Eskobar.

Ky i fundit kujtoi tensionet në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre, të nevojshme për vazhdimin e progresit në rrugën e tyre europiane.

Marrëdhëniet e Kosovës e Sërbisë i cilësoi si të vështira, por shtoi se BE në shkurt dhe mars, me mbështetjen e fuqishme të SHBA, arritën progres në Marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe zbatimin e aneksit, i cili ofron kornizën përmes së cilës Kosova dhe Sërbia përmbushin detyrimet e tyre.

Eskobar ka theksuar se element kyç është përmbushja e detyrimeve të Kosovës të ndërmarra prej vitit 2013, që është krijimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe.

"Bashkësia do të fuqizonte komunat me interesa të përbashkëta, gjuhën dhe kulturën për t'u koordinuar në sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal. Për më tepër, Kosova dhe Sërbia u dakordësuan të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare. Ajo çfarë është më e rëndësishme sipas kësaj marrëveshjeje, Sërbia nuk do të lobojë më kundër Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, thekson Eskobar në dokument.

Eskobar ka shtuar se qysh kur palët nënshkruan të gjitha marrëveshjet, ka pasur provokime serioze, ka pasur eskalim të tensioneve dhe dhunë të papranueshme nga demonstruesit sërbë ndaj KFOR, policisë dhe gazetarëve në veri të Kosovës.

Si përgjigje, NATO vendosi në gatishmëri elementë rezervë për të përforcuar misionin, tha Eskobar, duke shtuar se po mbahet nën kontroll situata në veri të Kosovës dhe është përmirësuar me qëllim garantimin e sigurisë.

“Me BE kemi bërë thirrje për de-eskalim urgjent përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja komunale dhe zgjedhjen e kryetarëve komunalë në katër komuna në veri të Kosovës në të cilat të marrin pjesë sërbët etnikë dhe për rifokusimin në zbatimin e marrëveshjes së arritur në kuadër të dialogut nën kujdesin e BE. Së bashku me partnerët tanë europianë, mbetemi të angazhuar në Kosovë e Sërbi, duke u bërë thirrje të dyja palëve të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre që janë të nevojshme për përparimin e vazhdueshëm në të dyja rrugët e tyre europiane” tha Eskobar.

Kur bëhet fjalë për Bosnjë-Hercegovinën, Eskobar tha se Presidenti i Republikës Sërbe Millorad Dodik, mbetet i fokusuar, siç thotë ai tek "çmontimi i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit" ndërkohë që SHBA mbetet e vendosur në mbështetjen që i jep përfaqësuesit të lartë në Bosnjë-Hercegovinë në luftën kundërshtuese ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.

Eskobar ka thënë se në Malin e Zi shihet vrull i ripërtërirë drejt realizimit të së ardhmes europiane, ndërsa zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare i vlerësoi si të lira dhe paqësore.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë çelur negociatat për anëtarësimin në BE dhe se këto dy vende janë partnerë solidë në promovimin e normalizimit mes Sërbisë dhe Kosovës dhe aleate të palëkundura të NATO.

Eskobar tha se integrimet transatlantike dhe europiane janë thelbësore për të reduktuar ndikimin e dëmshëm të Rusisë dhe Kinës, si dhe aktorëve të korruptuar lokalë, të cilët po përpiqen të destabilizojnë rajonin dhe të pengojnë integrimin.

Ai thekson se Rusia mbetet furnizuesi ekskluziv i gazit natyror për disa vende të Ballkanit, i cili, siç tha ai, është kërcënim serioz për sigurinë rajonale.

“Ndonëse po udhëheq luftën në Ukrainë, Kremlini ushqen dizinformata-shpesh në sërbisht me qëllim mbjelljen e ndarjes, mosbesimit, tensioneve ndëretnike dhe fetare” tha ai.

Ai shton se SHBA duhet të ofrojë alternativa për ndërtimin e rezistencës ndaj këtyre ndikimeve, që është përafrimi i partnerëve me standardet e BE për prokurimin e infrastrukturës kritike dhe investimeve të huaja, e më pas shtypjen e dizinformatave dhe zhvillimin e mjedisit të pastër, të besueshëm, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me burime të ndryshme energjitike.

"Qytetarët e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Angazhimi ynë ndihmon në realizimin e kësaj ëndrre dhe vazhdimi i angazhimit bipartizan në Kongres, mbetet çelësi i këtij suksesi" përmbylli Eskobar prezantimin e tij.