Eskobar: Kurti do ta humbasë rastin nëse nuk pajtohet me partnerët
I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, ka thënë se plani evropian për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është i mirë dhe nuk i përshtatet asnjërës palë, raporton RTV.
Eskobar ka theksuar se zgjidhja më e mirë për daljen nga kriza në Kosovë është që Beogradi dhe Prishtina të pranojnë planin trepikësh të prezantuar nga Bashkimi Evropian.
“Ne kemi indikacione pozitive se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është i gatshëm ta pranojë atë, por kryeministri Albin Kurti duhet të bindet pak më shumë”, u tha Eskobar gazetarëve në Zagreb, para se të mbërrinte në Forumin e sotëm të Dubrovnikut.
I pyetur se cilat do të jenë pasojat nëse Beogradi dhe Prishtina nuk i përmbushin kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të deeskaluar situatën në veri të krahinës, Eskobar u përgjigj se të dyja palët do të humbasin mundësi të shumta.
“Pasojat nuk janë masa ndëshkuese, përkundrazi, këto janë mundësi të humbura që do të humbasin të dyja vendet nëse e refuzojnë propozimin për dalje nga kriza”, tha Eskobar, duke shtuar se për Prishtinën do të thotë largim nga partnerët e ngushtë ndërkombëtarë dhe partnerët në rajon, dhe për Beogradin, largimi nga anëtarësimi në BE.
“Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës dhe jo me një parti apo figurë politike. Përkushtimi ynë ndaj Kfor-it dhe investimi në të ardhmen e Kosovës mbetet i fortë”, përfundoi Eskobar.
0 komentet