Gashi: Absurditet që fokusi i protestave në Shqipëri të zhvendoset tek disa qindra qytetarë të Kosovës

Arben Gaši
Burim: Kosovo Online

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet Arben Gashi tha se është absurditet që në momentet e pakënaqësisë qytetare në Shqipëri që po shfaqet me protesta masive, fokusi të zhvendoset tek disa qindra qytetarë të Kosovës, duke shtuar se narrativat që kanë për synim krijimin e përçarjeve mes shqiptarëve, nuk i shërbejnë askujt.

Gashi në Fejsbuk shkruan se nuk surprizohet nga mënyra se si njerëzit kërkojnë fajin nga jashtë për protestat, ndonëse problemi është tërësisht i brendshëm.

Duke bërë të ditur se sipas raporteve të mediave ndërkombëtare dhe vlerësimeve të organizatorëve, dhjetëra mijëra qytetarë po marrin pjesë në protestat në Tiranë, ku disa flasin për shifra që tejkalojnë 100,000 dhe në raste të caktuara mbi 200,000 demonstrues, Gashi tregon se është e qartë se bëhet fjalë për mobilizim masiv të qytetarëve dhe jo fenomen periferik.

"Në këtë kontekst, pretendimet se rreth 100 automjete nga Kosova morën pjesë në protesta, çka do të thotë rreth 300-400 qytetarë, duken plotësisht joproporcionale me madhësinë e protestave. Madje edhe nëse kjo shifër është e saktë-çka dyshoj seriozisht-nuk mund të spegojë asgjë në lidhje me dhjetëra apo qindra mijëra qytetarë që dalin në rrugë", theksoi Gashi.

Ky i fundit shtoi se çdo vit në Shqipëri rregjistrohen më shumë se tre milionë hyrje nga Kosova çka do të thotë se 300 apo 400 njerëz në shesh mund të kenë qenë krejtësisht rastësorë.

"Ndaj, është absurde që në momente të pakënaqësisë qytetare, fokusi të zhvendoset tek disa qindra njerëz nga Kosova", tha Gashi dhe shtoi se kjo logjikë nuk është e re dhe se e njëjta ka ndodhur në vitin 1997, kur pati tentativë që krizat e brendshme politike të mbuloheshin me narrativa rreth fajtorëve të huaj.

"Madje dhe atëherë u përmendën njerëz nga Kosova, ndërsa debati i vërtetë për shtetin dhe qeverisjen u shmang. As atëherë dhe as sot, problemi nuk ishte Kosova. Problemi është plotësisht i brendshëm: kualiteti i demokracisë, modeli i qeverisjes, marrëdhënia mes shtetit dhe qytetarëve dhe mungesa e besimit në institucione. Kur shoqëria del në rrugë në shkallë të tillë, debati nuk mund të reduktohet në disa dhjetëra apo qindra njerëz nga jashtë", tha Gashi.

Ky i fundit theksoi se narrativat që kanë për synim krijimin e përçarjeve mes shqiptarëve nuk i shërbejnë askujt.

"Shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri sot kanë komunikim, ndërvarësi dhe bashkëveprim më të madh se kurrë më parë dhe kjo është ajo që i bën të gjitha përpjekjet për të ndarë artificialisht ose për të kërkuar faj të huaj të panevojshëm", shtoi Gashi.