Gashiq: Mafia shqiptare nga Kosova u siguron armë kontrabandistëve në veri të Serbisë

Bratislav Gašić
Burim: Kosovo Online

Ministri i Brendshëm serb Bratislav Gashiq tha sot se grupet e organizuara kriminale që kontrabandojnë emigrantë në veri të Serbisë kanë ndihmën e mafies shqiptare nga Kosova, raporton RTV.

Gashiq sot vendosi gurthemelin e ndërtesës së re të Komandës së Xhandarmërisë në Rakovicë dhe me atë rast deklaroi se kjo njësi është krenaria e Serbisë dhe se asnjë grup i organizuar kriminal nuk është i mirëseardhur në Serbi.

Me atë rast ai deklaroi se mafia shqiptare furnizon me armë grupet kriminale që kontrabandojnë emigrantë.

“Këta nuk janë emigrantë, janë grupe të organizuara kriminale kundër të cilëve ne po luftojmë, që do të thotë se duhet të ndajmë se çfarë janë emigrantët dhe çfarë janë grupet e organizuara kriminale, me ndihmën e mafies shqiptare që vjen nga krahina jonë jugore. Armët të gjitha vijnë nga poshtë”, tha Gashiq.