Drecun: E gjithë UÇK-ja është në gjyq, kemi dëshmi se është një ndërmarrje e përbashkët kriminale
Kryetari i Komisionit për Kosovë e Metohi në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, me rastin e fillimit të gjykimit të katër ish-liderëve të UÇK-së sot në Hagë ka thënë se pala serbe ka dhënë një kontribut vendimtar për të vërtetuar se ishte një ndërmarrje e përbashkët kriminale, gjegjësisht se UÇK-ja ishte e organizuar në mënyrë hierarkike, transmetoi RTS.
Drecun tha se u mblodhën më shumë se 30,000 dokumente provash, si dhe qindra dëshmi.
“Ka edhe prova të mbledhura nga grupi i punës që kam formuar dhe që ka punuar për gjashtë vjet për të mbledhur prova dhe fakte”, tha Drecun.
Ai thekson se të akuzuarit akuzohen si për faj individual, ashtu edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale - se ata nuk kanë parandaluar apo dënuar vartësit që kanë kryer krime.
Ai tha se problem për prokurorinë ka qenë përcaktimi i aktakuzës, pasi nuk kanë pasur prova që të tregojnë se UÇK-ja ka qenë organizatë e organizuar në mënyrë hierarkike.
“Përkatësisht, edhe pse shqiptarët pretendonin se ishin grupe të pavarura, pala serbe i dorëzoi prokurorisë materialet që u sekuestruan nga forcat tona gjatë konfliktit me pjesëtarët e UÇK-së dhe të cilat bëjnë të mundur vërtetimin e organizimit hierarkik. Sado që mundohen të thonë se ky nuk është gjykim i UÇK-së, është gjykim i UÇK-së, sepse po flasim për një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe thuhet se të gjithë morën pjesë nga kulmi politik ushtarak, përmes zonave operacionale të komandantëve, deri tek ushtari thjeshtë dhe qeveria e Kosovës, e gjithë organizata po gjykohet për krime”, tha Drecun.
Ai ka thënë se gjatë hetimeve kanë pasur bashkëpunim të mirë me prokurorinë e Gjykatës Speciale dhe se atëherë i kanë thënë se aktakuzën do ta bazojnë në paraburgime të paligjshme.
“Kemi identifikuar 159 paraburgime, gjashtë prej të cilave në Shqipëri dhe kemi ofruar të gjithë dokumentacionin. Ata kontrolluan dyzet e më shumë vende, aktakuza bazohet në to. Pastaj thanë se krimet do të lidheshin më lehtë përmes atyre paraburgimeve”, tha Drecun.
Kur është fjala për tregtinë e organeve dhe shtëpinë e verdhë të ashtuquajtur, Drecun tha se i ishte thënë se do të ishte e vështirë të ndiqte çështjen për shkak të kalimit të kohës dhe mungesës së provave.
“Villiamson tha në vitin 2014 se kishin prova, por që në atë moment nuk ishin të mjaftueshme për ndjekje, por ata vazhduan të punojnë. Dik Marti tha se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe institucioneve të përkohshme në Prishtinë ishte zero”, tha Drecun.
Ai rikujton gjithashtu se raportet mjeko-ligjore nga vendet e ndalimeve të paligjshme, të cilat janë bërë në Shqipëri, janë kryer në mënyrë të shkujdesur dhe se gjykata ka deklaruar se ato nuk mund të konsiderohen si provë.
“Materiali që ndodhej në Gjykatën Penale Ndërkombëtare u shkatërrua me pretekstin se nuk kishin ku ta ruanin në arkiv”, tha Drecun.
Ai shton se është ruajtur vetëm raporti i vizitës së shefit të hetuesisë, ku flitet për tetë dëshmitarë dhe përmban deklaratat e tyre. Pyetja është, thotë ai, se çfarë ka ndodhur me ata dëshmitarë.
0 komentet