Gavrillo Millosavleviq u lirua nga aktakuza për krime lufte
Gavrillo Millosavljeviq nga Istogu, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime të supozuara lufte në burgun e Dubravës gjatë vitit 1999, u lirua sot nga akuza para Departamentit të Posaçëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari Vesel Ismaili, gjatë shpalljes së aktgjykimit, theksoi se Millosavleviq u lirua nga aktakuza për shkak se nuk u provua se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Prokuroria e akuzonte Millosavleviqin se kishte qenë pjesëmarrës në vrasjet masive të të burgosurve me përkatësi kombëtare shqiptare në burgun e Dubravës, që kishin ndodhur nga data 22 deri më 24 maj 1999, kur – sipas aktakuzës – ishin vrarë 109 të burgosur dhe ishin plagosur 108 të tjerë.
Millosavleviq ishte arrestuar më 2 dhjetor 2022. Aktakuza ndaj tij ishte ngritur më 29 nëntor 2023.
Ai ishte deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 7 dhjetor 2023.
Gjatë gjykimit, Millosavleviq kishte deklaruar se gjatë periudhës së luftës nuk e kishte vizituar fare Qendrën Korrektuese dhe se dëgjoi për ngjarjet në Dubravë vetëm pasi u zhvendos në Serbinë qendrore. Ai kishte theksuar gjithashtu se, ndonëse pas luftës kishte ardhur shpesh në Kosovë, ishte arrestuar pikërisht në momentin kur po përpiqej të rimerrte pronën e tij të uzurpuar.
0 komentet