Gjykata në Prishtinë e dënoi Dragisha Millenkoviqin me shtatë vjet burg

Dragiša Milenković
Burim: Kosovo Online

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Dragisha Millenkoviqin me shtatë vjet burg për veprën penale të krimeve të luftës. Koha që ka kaluar në paraburgim do t'i llogaritet në dënim.

Trupi gjykues, duke lexuar aktgjykimin, theksoi se Millenkoviq u dënua me shtatë vjet burg për krimet e luftës. Ai është dënuar me gjobë prej 1500 euro për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Mbrojtja ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit.


Dragisha Millenkoviq u arrestua më 21 qershor 2023 në shtëpinë e tij familjare në Kishnicë, afër Graçanicës.

Prokuroria speciale e ngriti aktakuzën kundër Millenkoviqit më 26 dhjetor 2023. Aty thuhet se si roje burgu gjatë konfliktit në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999 në burgun e Prishtinës, dega në Lipjan, në cilësinë e zyrtarit dhe në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit, në mënyrë sistematike i keqtrajtonte të burgosurit shqiptarë duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore.

Avokatët kërkuan aktgjykim lirues

Në fjalën përfundimtare, avokatët mbrojtës deklaruan se nuk ekziston asnjë provë që e fajëson Millenkoviqin. Avokatja Jovana Fillipoviq tha se provat që i kishin paraqitur si mbrojtje ishin shpallur të pavlefshme, për arsye politike, siç tha ajo, dhe jo juridike.

Avokati Dejan Vasiq në fjalën përfundimtare tha se ekziston mospërputhje në deklaratat e dëshmitarëve dhe pyeti se si është e mundur që dëshmitarët kanë pritur një çerek shekulli për ta njohur Dragishën dhe si është e mundur që nuk ka pasur asnjë dëshmitar para se ai të arrestohej.

Avokati Zhivojin Jokanoviq tha gjithashtu se Millenkoviq ka qenë rojtar në burg dhe jo pjesëmarrës në luftë, dhe për këtë arsye nuk mund të mbajë përgjegjësi për krime lufte.

Vetë Dragisha Millenkoviq deklaroi se dëshmitarët dhe familjet e tyre e dinë që nuk janë maltretuar në burg.

"Ata e dinë mirë që nuk janë maltretuar në burg, aty kishte shumë kamera dhe për 25 vjet avokatët e tyre nuk kanë pasur asgjë kundër meje", tha Millenkoviq.

Fon Kramon: Kjo nuk i ngjan sundimit të ligjit

Për rastin e Dragisha Millenkoviq ka folur edhe raportuesja speciale e PE për Kosovën, Viola fon Kramon, gjatë vizitës së saj në Kosovë në janar të vitit 2024. Ajo deklaroi se në një aspekt “e fajëson qeverinë e Kosovës që është përfshirë në disa raste gjyqësore dhe se do të jetë e kujdesshme se si e komenton këtë”.

“Më është thënë se në atë rast nuk ka shumë dëshmitarë. Ai është mbajtur në paraburgim pa procedura të duhura ligjore, dhe për këtë arsye e kam përmendur atë rast. Ajo që kam dëgjuar është se ka jetuar për 23 vjet pas luftës në komunitet dhe pas gjithë atij jete në komunitet, pa shumë dëshmitarë – sipas asaj që kam dëgjuar, vetëm një dëshmitar e akuzon për krime lufte – dhe kjo nuk i ngjan sundimit të ligjit. Prandaj e kam përmendur rastin”, tha Fon Kramon.