Gjenerali i SHBA-së Hokanson Vuçiqit: Pa udhëheqjen tuaj në një situatë të vështirë, do të kërcënohej paqja dhe stabiliteti në rajon
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka folur sot në Beograd me shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, gjeneralin Daniel Hokanson, për forcimin e mëtejshëm të partneritetit, miqësisë dhe besimit ndërmjet forcave të armatosura të Serbisë dhe SHBA-së.
Siç thuhet në njoftimin e Presidencës, Vuçiq ka theksuar se Serbia, duke ruajtur neutralitetin e saj ushtarak, është e gatshme të përmirësojë bashkëpunimin e partneritetit me ushtrinë amerikane për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë e Metohi, Presidenti Vuçiq e njoftoi në detaje gjeneralin Hokanson për shkaqet e përshkallëzimit të dhunës dhe në këtë kontekst falënderoi palën amerikane për angazhimin dhe mesazhet e qarta në qetësimin e tensioneve të shkaktuara nga aktet e njëanshme të autoriteteve të Prishtinës, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se gjenerali Hokanson ka falënderuar presidentin Vuçiq për udhëheqjen e tij në një situatë të vështirë, pa të cilën do të rrezikohej paqja dhe stabiliteti në rajon. Ai gjithashtu theksoi kontributin e madh të Forcave të Armatosura të Serbisë në misionet paqeruajtëse në botë.
Me këtë rast u bisedua edhe për mënyra të ndryshme konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes.
Vuçiq ka njoftuar edhe në Instagram se bashkëpunimi mes Ushtrisë Serbe dhe Gardës Kombëtare të SHBA-së është baza për paqen dhe stabilitetin në rajon.
"Një bisedë shumë e mirë me gjeneralin Daniel Hokanson për forcimin e mëtejshëm të partneritetit, miqësisë dhe besimit ndërmjet forcave tona të armatosura. Bashkëpunimi i Ushtrisë Serbe dhe Gardës Kombëtare të SHBA-së jep një shtysë të fortë për përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme midis Serbisë dhe SHBA-së dhe përfaqëson një bazë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka shkruar Vuçiq.
0 komentet