Gjermania ndërpret bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha

Nemačka - Kosovo
Burim: Ekonomia Online

Gjermania ka vendosur që përkohësisht të lëjë në pauzë bashkëpunimin me Kosovën në sektorë të ndryshëm pasi qeveria me në krye Albin Kurtin nuk ndërmerr hapa për qetësimin e situatës në veri, është thënë për Radion Europa e Lirë nga Ambasada Gjermane në Prishtinë.

Siç bëhet e ditur në përgjigjen e shkruar, Gjermania këtë vendim e ka ndërmarrë në përputhje me politikën e Bashkimit Europian e cila më parë pati vendosur masa ndaj Kosovës.

Vihet në dukje se masat e Gjermanisë nuk do të zbatohen për “projektet me sektorin e shoqërisë civile dhe as për projektet që janë duke u zbatuar”.

“Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve të qeverisë për bashkëpunimin zhvillimor, ndalimin e partneritetit të planifikuar dypalësh për klimën dhe sigurimin e pajisjeve specifike për ata që ofrojnë siguri” thuhet nga Ambasada Gjermane në Prishtinë.

Theksohet se projektet që janë pezulluar tani, mund të rifillojnë sapo të nisin “masat urgjente për de-eskalim”.

“Gjermania në mënyrë eksplicide mbështet përpjekjet e BE, punën e përfaqësuesit special të BE (Mirosllav) Llajçak, si dhe dialogun e udhëhequr nga BE” precizohet në fund.

Më herët BE ka marrë masa ndaj Kosovës për shkak se Qeveria në Prishtinë ka injoruar kërkesat për de-eskalim të situatës. Disa nga masat e marra nga BE janë pezullimi i përkohshëm i punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, pezullohen ftesat për ngjarje të nivelit të lartë, ndërsa vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që synojnë zgjidhjen e krizës në veriun e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i quajti këto masa “të padrejta”.

BE ka tre kërkesa ndaj Kosovës, të cilat i përkrahin edhe vendet e tjera perëndimore dhe ato janë de-eskalimi urgjent i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.