Millivojeviq: Sanksionet evropiane për Kurtin pa efekt serioz, rezistenca serbe mbetet vendimtare
Ish-diplomati Zoran Millivojeviq beson se lista e propozuar e masave të Komisionit Evropian ndaj pushtetit në Prishtinë nuk do të ketë ndikim serioz për kryeministrin Albin Kurti dhe siç thotë ai, më së shumti që mund ta dëmtojë atë është mobilizimi i një opozite të dobët, transmeton Sputnik.
Millivojeviq thekson se sanksionet e shpallura ndaj Prishtinës janë masa diplomatike dhe politike që nuk mund të prodhojnë efekt serioz, sepse, siç thekson ai, Kurti nuk do të heqë dorë nga strategjia për të fituar kontrollin mbi veriun e Kosovës përmes përdorimit të forcës.
“Në fund të fundit, Kurti në një bisedë me kryetaren e KE-së Ursula von der Lajen tha se do të tërheqë policinë në faza në varësi të situatës në terren. Masat e propozuara mund të shkaktojnë lëvizje të brendshme në Kosovë, mobilizim të opozitës me qëllim të dobësojë Kurtin, i cili ka shumicën në elektoratin shqiptar”, beson Millivojeviq.
Ai shton se fakti që nuk do të ketë kontakte me zyrtarë evropianë, apo se çështja e stabilizimit e asociimit do të ngadalësohet, nuk ka ndikim tek Kurti.
“Kurti nuk është i interesuar për këtë, madje edhe sanksionet financiare në afat të shkurtër nuk mund të prodhojnë ndonjë efekt serioz. Kurti mund të ndikohet vetëm nga vullneti politik, vendimi për të vënë në funksion të plotë KFOR-in, për të larguar të gjitha forcat policore dhe të tjera që nuk kanë vend në Kosovë e Metohi dhe të vendosë kontroll të plotë të sigurisë, që është përgjegjësi e tij”, thotë Millivojeviq.
Ai beson se kryetarët e komunave në veri duhet të tërhiqen, në mënyrë që historia të mos përfundojë plotësisht dhe që EULEX-i të parandalojë represionin e serbëve, i cili, thotë ai, mund të prodhojë njëfarë stabilizimi në veri të Kosovës dhe enklavat serbe në jug.
“Serbët me siguri nuk do të heqin dorë nga rezistenca e tyre, ata do të iniciojnë BKS-në, sepse nuk kanë garanci të tjera dhe prandaj pjesëmarrja në zgjedhje nuk është reale pa formimin e BKS-së”, thotë Millivojeviq.
Sipas tij, duhet pasur parasysh se Beogradi nuk i kontrollon serbët në Kosovë dhe se nuk ka ndërmend të parashikojë se si do të sillen.
"Serbët nuk do të heqin dorë nga rezistenca e tyre dhe Beogradi nuk do të heqë dorë nga mbështetja e tyre për serbët, dhe kjo duhet të merret parasysh. Beogradi nuk do të heqë dorë nga BKS, e cila në kuptimin politik duhet të jetë parakusht dhe garanci për mbijetesën e tyre”, përfundoi Millivojeviq.
0 komentet