Gjuriq me Bayramovin për sfidat me të cilat përballen serbët në Kosovë
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Serbisë, Marko Gjuriq, u takua sot me ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, duke vlerësuar se besimi i ndërsjellë dhe dialogu politik i vazhdueshëm përbëjnë një themel të fortë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit midis dy vendeve.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gjuriq theksoi se Serbia është e përkushtuar për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat, sidomos në fushën e energjetikës, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të sigurisë energjetike për Serbinë.
Ai vlerësoi se ekziston një potencial i konsiderueshëm për përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, veçanërisht në segmentin e turizmit të banjave, duke marrë parasysh burimet natyrore të jashtëzakonshme që ka Serbia, si dhe mundësitë për nxitjen e investimeve të reja dhe forcimin e lidhjeve të përgjithshme ekonomike.
Në komunikatën e ministrisë theksohet gjithashtu se gjatë takimit u diskutua mbi modalitetet më të fundit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe mbi pozicionimin e mundshëm të Serbisë në lidhje me qasjen e rinovuar në procesin e aderimit.
“Gjuriq theksoi se Serbia e vlerëson lart mbështetjen e qëndrueshme të Bakuut për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe informoi bashkëbiseduesin mbi rrethanat dhe sfidat aktuale me të cilat përballet popullsia serbe në Kosovë dhe Metohi,” thuhet në komunikatën e kabinetit të tij.
Bashkëbiseduesit shqyrtuan gjithashtu çështje me rëndësi globale, duke përfshirë sfidat e sigurisë dhe ato ekonomike në mjedisin ndërkombëtar bashkëkohor.
Ministrat shprehën bindjen se Këshilli për partneritet strategjik do të përbëjë një mekanizëm të rëndësishëm të koordinimit politik dhe do të kontribuojë që marrëdhëniet midis Serbisë dhe Azerbajxhanit të jenë më përmbajtësore, konkrete dhe të orientuara drejt rezultateve afatgjata.
0 komentet