Gjuriq me Jençën rreth situatës në Kosovë, UNMIK-ut dhe lëvizjeve të njëanshme të Prishtines
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, bisedoi sot me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jençën, rreth marrëdhënieve në rajon, situatës në Kosovë dhe Metohi, si dhe çështjeve aktuale ndërkombëtare.
Gjuriq theksoi bashkëpunimin e mirë me ekipin e Kombeve të Bashkuara në vendin tonë dhe nënvizoi rëndësinë e rolit të OKB-së në mënyrë që të ruhet integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Serbisë.
Gjuriq tha se Serbia mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj multilateralizmit dhe qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së, të cilat i konsideron themelet më të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe parakushtet kryesore për arritjen e qëllimit themelor të Kartës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Ai theksoi gjithashtu se prania e UNMIK-ut është thelbësore për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së popullsisë serbe dhe jo-shqiptare në Kosovë.
Shefi i diplomacisë serbe ka vënë në dukje një sërë veprimesh të njëanshme të Prishtinës, me të cilat në mënyrën më të rëndë shkelen të drejtat themelore të njeriut dhe ushtrohet dhunë fizike dhe institucionale ndaj serbëve, përfshirë arrestimet gjithnjë e më të shpeshta të serbëve pa bazë të vlefshme dhe pa procedura transparente, me qëllim frikësimin dhe dëbimin e plotë të komunitetit serb nga Kosova. Ai po ashtu ka theksuar fillimin e ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër, përmes së cilës autoritetet në Prishtinë po rrisin kërcënimin e drejtpërdrejtë ndaj popullatës me shumicë serbe në veri.
Sa i përket situatës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gjuriq theksoi se Serbia e mbështet fuqishëm Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, e cila përbën bazën e rendit kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe është garanci për paqen dhe stabilitetin.
Duke folur për situatën në rajon, Gjuriq ka theksuar se disa deklarata dhe veprime të zyrtarëve nga rajoni shkojnë në drejtim të kundërt me vlerat evropiane dhe se është e domosdoshme më shumë përgjegjësi politike në diskursin rajonal.
Gjuriq ka përsëritur qëndrimin se Serbia është e përkushtuar për forcimin e stabilitetit në rajon dhe për bashkëpunim të bazuar, para së gjithash, në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor, me përkushtim të plotë ndaj procesit të pajtimit.
Ai përmbylli duke theksuar se Serbia do të vazhdojë të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara në të gjitha forumet dhe misionet që kontribuojnë në ruajtjen e paqes, të drejtave dhe stabilitetit në rajon, si dhe do të vazhdojë të japë kontributin e saj në sigurinë kolektive përmes pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse anembanë botës.







0 komentet