Gjuriq me Konradin mbi dialogun midis Beogradit dhe Prishtines dhe çështjet rajonale

djuric konrad
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka biseduar me ambasadoren e Gjermanisë, Anke Konrad, për aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh, për çështjet rajonale, si dhe për tema gjeopolitike. Gjatë takimit u konstatua se është me rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit që të arrihet përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili aktualisht është në ngërç.

Gjuriq theksoi se Gjermania është partneri kryesor dypalësh për Serbinë, jo vetëm në fushën ekonomike si partneri më i rëndësishëm tregtar i vendit, por që gjithashtu ka një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e integrimeve evropiane të Serbisë dhe ndikon në fusha të tjera me interes të përbashkët.

Të dyja palët theksuan ndikimin pozitiv të projekteve të realizuara dhe atyre të planifikuara brenda Procesit të Berlinit, ndërsa ministri Gjuriq theksoi gatishmërinë e Serbisë që në të ardhmen të japë një kontribut edhe më të madh në arritjen e qëllimeve të kësaj nisme, e cila është iniciuar në vitin 2014 nga Qeveria e Gjermanisë dhe synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

Duke u ndalur te situata në Kosovë dhe Metohi, ministri Gjuriq theksoi nevojën për një tranzicion të rregullt të pushtetit në të gjitha komunat pas zgjedhjeve lokale të fundit. Të dyja palët ranë dakord se është me rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit që të ketë përparim në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili është bllokuar prej disa muajsh për shkak të vonesave në formimin e Qeverisë së re të institucioneve të përkohshme në Prishtinë.

Ministri Gjuriq e informoi ambasadoren Konrad edhe për përpjekjet e Serbisë për të siguruar stabilitet energjetik dhe diversifikim të furnizimit me energji, duke theksuar se këto janë çështje me rëndësi thelbësore jo vetëm për Serbinë, por edhe për tërë rajonin.