Gjuriq me kreun e Kishës Koptike: Shkatërrimi i objekteve të shenjta serbe në Kosovë është alarm i kuq
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, u takua sot me Papën e Aleksandrisë dhe Patriarkun e Selisë së Shën Markut, Tavadrosin e Dytë, i cili po qëndron për herë të parë në një vizitë zyrtare në Serbi.
Duke shprehur kënaqësinë për mundësinë për të pritur kreun e Kishës Koptike, Gjuriq shprehu bindjen se kjo vizitë historike do të kontribuojë më tej në zhvillimin e miqësisë tradicionale ndërmjet Serbisë dhe Egjiptit, në forcimin e lidhjeve midis Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Ortodokse Koptike, si dhe në afirmimin e marrëdhënieve harmonike ndërmjet bashkësive të krishtera dhe myslimane në të dy vendet.
“Kuadrin e marrëdhënieve bilaterale në gjeneratën tonë e kanë ndërtuar presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Abdel Fatah Al-Sisi, të cilët me përkushtimin dhe angazhimin e tyre personal e kanë përmirësuar ndjeshëm bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet vendeve tona, duke e ngritur atë në nivel të partneritetit strategjik”, vlerësoi ministri, duke theksuar se, përveç bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të mbrojtjes, për Serbinë është me rëndësi të madhe edhe dialogu në sferën shpirtërore.
Duke folur për rëndësinë historike të rolit të kishës si një bashkësi shpirtërore dhe një faktor koheziv në shoqërinë tonë, Gjuriq vuri në dukje vendosmërinë dhe mbështetjen e fortë të udhëheqjes shtetërore serbe për të ruajtur vertikalen shpirtërore të popullit serb, rrënjët dhe traditat e të cilit u themeluan në kohën e Shën Savës, paraardhësit të kishës dhe politikës shtetërore serbe.
“Vuajtjet dhe lufta tragjike për mbijetesë, të cilave u është ekspozuar populli ynë në dekadat e fundit, si dhe rrezikimi dhe shkatërrimi i ndërtesave të shenjta dhe monumenteve kulturore në zonën e Kosovës dhe Metohisë për shkak të sulmeve etno-nacionaliste të ekstremistëve, është një alarm i kuq jo vetëm për komunitetin e krishterë, por edhe për të gjithë komunitetin politik, kulturor dhe akademik në botë”, theksoi Gjuriq, duke kujtuar faktin se në Kosovë ka manastire dhe kisha nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Duke theksuar kërcënimet e vazhdueshme ndaj klerikëve dhe besimtarëve të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe faktin se, vetëm në 20 vitet e fundit, janë shkatërruar, dëmtuar apo fyer rreth 150 kisha, manastire dhe objekte të tjera të shenjta, shefi i diplomacisë serbe Marko Gjuriq shprehu mirënjohje ndaj Egjiptit mik dhe kreut të Kishës Koptike për mirëkuptimin e rëndësisë që ka mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë ortodokse dhe kulturore të popullit serb në Kosovë.









0 komentet