Gjuriq me Shallenberg për problemet e serbëve në Kosovë
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka biseduar sot, në margjinat e takimit ministror në kuadër të Procesit të Berlinit, me kolegun e tij austriak Aleksander Shallenberg, të cilin e ka njoftuar në detaje për problemet me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë për shkak të lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës.
Gjuriq tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe se takimet e rregullta të zyrtarëve më të lartë kontribuojnë dukshëm në to, dhe shprehu kënaqësi të veçantë për faktin se të dy vendet po festojnë këtë vit një jubile shumë të rëndësishëm - 150 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.
Ai theksoi se Austria është një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm ekonomik i Serbisë, duke theksuar se është e nevojshme të vazhdohet me angazhimin e përbashkët për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik në shumë fusha si infrastruktura, energjia dhe IT.
Ai falënderoi Austrinë për mbështetjen e qartë dhe të padiskutueshme për integrimin evropian të Serbisë, si dhe mbështetjen për anëtarësimin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Gjuriq e informoi Shallenbergun në detaje për problemet me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë për shkak të lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës.
Ministrat nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Austrisë për qasje reciproke në tregun e punës të anëtarëve të familjeve të misioneve diplomatike dhe konsullore.
0 komentet