Gjuriq me Sijarto: Në Kosovë po shkelen rëndë të drejtat e serbëve
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka takuar sot në Berlin, në kuadër të takimit ministror të Procesit të Berlinit, me shefin e diplomacisë hungareze, Peter Sijarto, dhe me atë rast edhe një herë theksoi shkeljen e rëndë të të drejtave njerëzore, politike dhe ekonomike të serbëve në Kosovë.
Gjuriq theksoi se e vlerëson mirëkuptimin e Hungarisë për ndjeshmërinë që çështja e Kosovës ka për Serbinë, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
Në bisedë, ministrat konfirmuan marrëdhëniet e jashtëzakonshme miqësore mes dy vendeve, të cilat, sipas vlerësimeve të tyre, kanë arritur nivelin më të lartë të bashkëpunimit dypalësh në historinë moderne.
Gjuriq falënderoi për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme që Hungaria i jep Serbisë në procesin e integrimit evropian.
Ai theksoi se Serbia është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, që, siç tha ai, është parakusht i domosdoshëm për zhvillimin politik dhe ekonomik.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve po zhvillohet në mënyrë shumë dinamike, ndërsa Gjuriq theksoi se vitin e kaluar Serbia për herë të parë ka arritur suficit në tregtinë me Hungarinë.
Shefi i diplomacisë serbe theksoi edhe bashkëpunimin e mirë në fushën e energjetikës dhe projekteve infrastrukturore, duke shprehur kënaqësinë për përfundimin e rindërtimit dhe modernizimit të seksionit hekurudhor të shpejtë Beograd-Novi Sad, gjegjësisht seksioni i parë i hekurudhës së shpejtë Beograd-Budapest.
0 komentet