Gjuriq me Sorensenin për situatën aktuale në Kosovë
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka biseduar sot me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen, për situatën aktuale në Kosovë, duke shprehur me këtë rast mbështetje të plotë për rolin dhe misionin që ai po kryen, njoftoi MPJ.
Siç thuhet, duke u ndalur tek një sërë masash eskaluese që autoritetet e Prishtinës i kanë ndërmarrë javëve të fundit dhe që kanë pasur për qëllim vështirësimin e mëtejshëm të pozitës së serbëve, ministri Gjuriq ka theksuar domosdoshmërinë e pranisë së mëtejshme të organizatave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, si dhe angazhimin e tyre më të madh me qëllim përmirësimin e situatës së përgjithshme të sigurisë, respektimin e plotë të të gjitha lirive dhe të drejtave, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme në kushte demokratike dhe të drejta.
„Duke apostrofuar domosdoshmërinë që bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht BE-ja, të ushtrojë ndikim më të fuqishëm mbi autoritetet e Prishtinës për të shmangur veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe provokuese ndaj serbëve dhe përfaqësuesve të organizatave të tyre politike, Gjuriq ka theksuar se javëve të fundit janë shtuar ndalimet e hyrjes për disa serbë, familjet e të cilëve jetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë“, thuhet në njoftim.
Shtohet se Gjuriq ka theksuar se po vazhdon uzurpimi i pronës private, përpjekjet për dëbimin e tërë familjeve serbe nga banesat dhe shtëpitë e tyre, si dhe që nuk janë zbuluar autorët e sulmeve ndaj pasurisë së përfaqësuesve të organizatave politike serbe. Ai ka shtuar se autoritetet e Prishtinës po përpiqen të krijojnë pika të reja tensioni në Mitrovicën e Veriut – përmes ndërtimit të një ure të re, nën petkun e zhvillimit të ashtuquajtur infrastrukturor.
„Ministri Gjuriq ka theksuar se Beogradi inkurajon dhe pret pjesëmarrjen sa më të madhe të serbëve në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë e Metohi, si dhe se beson që me këtë do të hapet rruga për kthimin e tyre, në numër të përshtatshëm dhe në mënyrë adekuate, në të gjitha institucionet dhe nivelet e pushtetit. Është vlerësuar nga të dyja palët se, përveç domosdoshmërisë së deeskalimit të situatës në Kosovë e Metohi – dialogu, bisedimet e hapura dhe substanciale, si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura përfaqësojnë rrugën më të mirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe normalizimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët në Kosovë e Metohi“, shkruhet në njoftim.
Është shprehur gjithashtu pritja që në një kohë të afërt në Bruksel të organizohet sërish takim i krerëve të ekipeve negociatore të Beogradit dhe Prishtinës.




0 komentet