Kandidatit për këshilltar i Listës Sërbe i djegin automjetin; Sofronijeviq: Qëllimi është të më frikësojnë mua dhe familjen

Časlav Sofronijević
Burim: Kosovo Online

Kandidati për këshilltar i Listës Sërbe, Çasllav Sofronijeviq, automjeti i të cilit u dogj rreth orës 1 pas mesnate në rrugën Vlada Qetkoviq në Zveçan, u shpreh për Kosovo Onlajn se dyshon se bëhet fjalë për sulm që ka për synim frikësimin e tij dhe familjes.

"Nga momenti kur Lista Sërbe nxori listën e vet të kandidatëve për këshilltarë, në të cilën ndodhem dhe unë, nisën të qarkullojnë histori të ndryshme në rrjetet sociale. As unë dhe as familja ime nuk kemi lidhje me këto. Si epilog i gjithë kësaj, ndodhi kjo e mbrëmjes së sotme. Jam i bindur se ky është sulm ndaj meje dhe familjes sime, i cili qëndron pas individëve që nuk dalin para popullit, por qëndrojnë në terr dhe tentojnë të shkaktojnë dëm dhe dhimbje, si për mua ashtu edhe për popullin tonë. Unë qëndroj fort pas politikave të ndjekura nga Lista Sërbe dhe jam i bindur se kjo është rruga e vetme e duhur për mirëqenien e popullit tonë në hapësirën e K&M", tha Sofronijeviq. 

Në vendin e ngjarjes mbërritën shumë shpejt pjestarët e policisë dhe shërbimit zjarrëfikës ku sipas fjalëve të Sofronijeviqit, e bërën punën e tyre me profesionalizëm.

"Policia dhe zjarrfikësit ishin aty për një minutë. Ndaj tyre nuk kam asnjë vërrejtje, gjithçka e bërën siç duhej. Është kryer hetim, pritet që ekipe të tjera të vazhdojnë me hetimet. Ata bëjnë punën e tyre", tha Sofronijeviq.

Ky i fundit i cili tërë jetën e tij e ka kaluar në Zveçan dhe ku sikurse thotë mbështet politikën paqësore dhe jetë të mirë për qytetarët, thekson se nuk do të heqë dorë nga rruga e tij politike.

"Në këtë qytet jetoj prej 62 vitesh. Gjithë jetën time i’a kam kushtuar politikës paqësore, të jetojmë në këtë zonë, që ky qytet të bëhet, të kemi jetë të mirë. Duket se dikush vlerëson se politika nuk është e mirë dhe dëshirojnë të imponojnë të tyren. Nuk kam problem të përballemi, të bisedojmë, të shikojmë se për çfarë dakordësohemi dhe për çfarë jo. Por këto veprime, nën mbulesën e natës, janë të mjerueshme. Fëmijët dhe nipërit e mi e panë zjarrin nga ballkoni, fqinjët vrapuan për të ndihmuar, por çfarë mbeti, mbeti. Ky është veçse automjet, hekura-do blej një tjetër", tha Sofronijeviq.

Hetimi në vendngjarje u krye nga ekipi mjeko-ligjor nga Prishtina. 

Policia Kosovare: Rezultatet e para tregojnë se shkaku i zjarrit ishte defekt në instalimet elektrike të automjetit

Shefi i planifikimit dhe vlerësimit operativ të operacionit rajonal të Policisë Kosovare-Mitrovica Veriore, toger Erduan Baliqi, deklaroi për Kosovo Onlajn se, sipas rezultateve të para të hetimit, shkaku i zjarrit ishte defekt në instalimet elektrike të automjetit.

Ai tha se policia mori informacion pas mesnate për djegien e automjetit pas së cilës njësia policore dhe zjarrfikësit shkuan menjëherë në terren dhe morën të gjitha masat.

"Në vendngjarje dolën dhe ekspertët për zjarret. Sipas të dhënave fillestare dhe provat e deritashme, dyshojmë se zjarri ka ndodhur vetëm nga instalimet elektrike", tha Baliqi.
Ky i fundit theksoi se për tani nuk ka të dyshuar dhe se hetimi vazhdon në përputhje me ligjin dhe procedurat e përcaktuara.