Gjuriq nga Bledi: Sërbia vend i së ardhmes, Ballkani duhet të jetë pjesë e projekteve europiane
Ministri i punëve të jashtme të Sërbisë Marko Gjuriq tha se pas pjesmarrjes në forumin strategjik të Bledit, prezantimi i këtij viti i Sërbisë ka qenë i fokusuar për të treguar se Sërbia, pavarësisht sfidave globale, rajonale e kombëtare, është vend i së ardhmes. Ai shtoi se në panelin "Nuk ka rajon për të rinjtë-është koha për ndryshim", çeli dhe temën e pozitës së sërbëve në Kosovë e Metohi dhe për atë se çfarë kalojnë në nisje të vitit shkollor.
"Sërbia është vend me zhvillim dinamik, vend që politikat e veta i mendon paraprakisht më herët dhe e shikon ruajtjen e stabilitetit, pavarësisë në politikën e brendshme e të jashtme, por dhe zhvillimin ekonomik si pikë qëndrore të politikave të saja", tha Gjuriq.
Ministri asistoi në panelin, tema e të cilit ishte kontributi i të rinjve në transformimin e rajonit dhe ndikimi i integrimit europian në mbajtjen apo largimin e të rinjve nga rajoni.
"Temë jo e thjeshtë për ne në këtë moment, sikurse mund t’a imagjinoni, por me mesazhe mjaft të qarta se ne në Sërbi, luftojmë për atë që të krijojmë lëvizshmëri më të madhe ekonomike e sociale për njerëzit e rinj. Nga ana tjetër, një dozë sinqeriteti nga ana ime-nevojitet që Europa paralelisht me reformat që ne zbatojmë, të përqafojë Sërbinë dhe rajonin e Ballkanit në anëtarësinë e vet si aktorë të barabartë", tha Gjuriq.
Ky i fundit paralajmëroi se nëse Ballkani nuk është plotësisht i integruar, do të jetë shans i humbur për potencialin zhvillues të tij.
“Nëse Europa nuk konsolidon mekanizmat e veta thelbësorë dhe vendimmarrëse dhe nëse Ballkani nuk do jetë plotësisht i integruar, do jetë shans i humbur që rajoni, i cili ka kapacitet, të jetë ndoshta bartësi i zhvillimit më të madh ekonomik në Europë, të jetë pjesë integrale e projektit europian”, theksoi ai.
Shtoi se për rajonin kjo nuk do të ishte gjë e mirë, por që edhe Europa duhet të vendosë gjithashtu "nëse do të vazhdojë të konsolidojë strukturën e vet të brendshme".
"Europa ndodhet në situatën nëse do të vazhdojë të konsolidojë strukturën e vet të brendshme dhe t'u japë hapësirë vendeve si Sërbia, e cila për 10 vite, më shumë se dy herë ka rritur PBB e vet, apo thjesht do të nisë të bëhet një lloj parku tematik në të cilën njerëzit do të jenë të lumtur të vijnë për turizëm, të shikojnë ndërtesa të vjetra dhe të shijojnë ushqim të mirë, por pa shumë potencial për rritje dhe zhvillim shkencor, krijues, intelektual, ekonomik dhe çdo rritje dhe zhvillim tjetër", theksoi ministri.
Ky i fundit tha se meqënëse kishte mjaft të rinj në panel, dëshironte të përcillte mesazh se nuk ka rrugë të shkurtra për ndërtimin e kuadrit të fortë institucional dhe se është e rëndësishme të mos kenë hapësirë ato forca politike që dëshirojnë të manipulojnë energjinë e të rinjve për qëllimet e tyre egoiste politike, sikurse tha, fatkeqësisht ka ndodhur në periudhën e fundit.
Gjuriq tha se çeli dhe temën e pozitës së sërbëve në Kosovë e Metohi, rreth asaj çka ka ndodhur në ditët e fundit me Listën Sërbe dhe asaj se në ç’kushte të vështira përballen sërbët, fëmijët e të cilëve nisin shkollën këtë vit në Kosovë e Metohi.
"Fola edhe për sulmin ndaj nxënësve vetëm sepse mbanin veshur fanellën e Yllit të Kuq, policia jo vetëm që u’a mori fanellat, por me ta u soll në mënyrë të papranueshme. Prej saj bëra shembull të asaj që përjetojnë sërbët në shumë vende në Kosovë e Metohi në fillim të vitit shkollor, kur flasim për të rinjtë. Ngaqë gjithë të tjerët duan të flasin për politikën dhe të rinjtë në një kontekst tjetër, unë dua të them se studentët sërbë në Mitrovicën e Kosovës, nuk kanë të drejtë që diplomat e tyre të njihen në Prishtinë, ashtu sikurse qytetarët e kombësive të tjera dhe kjo është diçka për të cilën duhet dhe si të flitet", theksoi Gjuriq.
Ky i fundit tha se disa nga pjesëmarrësit, si në deklaratat e tyre ashtu edhe në panele, folën mjaftueshëm për Sërbinë dhe kjo në panele në të cilat përfaqësuesit e Sërbisë ose nuk ishin të ftuar ose nuk parashikoheshin.
"Mendoj se do të ishte më mirë nëse do të sillemi me njëri-tjetrin me respekt dhe që të gjithë thjesht të pastrojnë oborrin e tyre përpara se të nisin të kërkojnë të meta tek tjetri. Ndaj pikërisht janë brezat e rinj në Ballkan që presin prej nesh të kemi bashkëpunim pakrahasueshmërisht më të përgjegjshëm dhe pakrahasueshëm më të mirë", tha ai.
Në fund tha se Sërbia mbetet e përkushtuar për dialogun dhe stabilitetin.
"Sërbia do të vazhdojë të jetë vend i orjentuar tek dialogu i jashtëm dhe i brendshëm, vend që do të ruajë stabilitetin, vend që do të vazhdojë kursin që e ka vizatuar populli duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë dhe të cilin presidenti Vuçiq arriti t’a materializojë për të gjithë ne në dhjetë vitet e mëparshme, duke e dyfishuar PBB sikurse e përmenda. Sërbia do të vazhdojë të jetë motori i rritjes dhe zhvillimit në Ballkan", tha Gjuriq.
komentet