Gjuriq: Sërbia dhe SHBA bashkarisht punojnë dhe bëjnë plane për të ardhmen

Marko Đurić
Burim: Ambasada Srbije u SAD

Ambasadori i Sërbisë në SHBA Marko Gjuriq organizoi pritjen speciale në godinën e re të ambasadës në Uashington me rastin e Ditës së shtetit të Sërbisë dhe Ditës së Ushtrisë së Sërbisë në të cilët morën pjesë ndihmës sekretari amerikan i shtetit në detyrë Martin Mekdauell, komandanti i Gardës Kombëtare të Ohajos Xhon Heris, kongresmeni Erik Svolluell, si dhe zyrtarë të tjerë.

Duke i’u uruar mirëseardhjen zyrtarëve të pranishëm dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik e ushtarak, ambasadori i Sërbisë në SHBA Marko Gjuriq ka thënë se Sërbia dhe Amerika kanë kaluar së bashku një rrugë gjatë marrëdhëniesh diplomatike në 142 vitet e fundit. Si dy figurat historike që konsiderohen si baballarët e kombeve tona, ai veçoi Xhorxh Uashingtonin dhe Karagjorgj Petroviqin, duke tërhequr paralele simbolike në aftësitë e tyre si shtetarë dhe udhëheqës ushtarakë, bën të ditur Ambasada e Sërbisë në SHBA.

“Tre kanë qenë paralelet themelore mes Karagjorgjit dhe Xhorxh Uashingtonit. E para, të dy ishin komandantë të shquar ushtarakë, shumë të respektuar në popullin e tyre. Së dyti, të dy e çuan popullin e tyre drejt fitoreve dhe vendosjes, pra rivendosjes së shtetësisë. Paralelja e tretë do të ishte se të dy liderët ishin përgjegjës për krijimin e institucioneve demokratike në vendet e tyre. Ndaj unë besoj se është vetëm fillimi i paraleleve midis frymës dhe themelit mbi të cilin kombet tona bazojnë ekzistencën e tyre” ka theksuar Gjuriq.

Ky i fundit shtoi se sot ka mjaft arsye për krenari sepse Sërbia dhe SHBA punojnë bashkarisht dhe bëjnë plane për të ardhmen.

“Sërbia dhe SHBA, punojnë intensivisht në përparimin e marrëdhënieve ekonomike dhe lidhjen e kompanive tona. Vetëm në tre muajt e fundit, kemi organizuar ardhjen e dy delegacioneve të mëdha me dhjetëra kompani amerikane në Sërbi ku janë njohur me mundësitë dhe shancet për rritjen e shkëmbimeve të tregtisë me jashtë dhe forcimin bashkëpunimit të kapaciteteve ekonomike e industriale“ ka nënvizuar Gjuriq.

Si përfaqësues i Forcave të Armatosura të SHBA, ka folur gjeneral-major Xhon Heris, komandant i Gardës Kombëtare të Ohajos i cili kujtoi kontributet dhe sakrificat e mëdha të popullit sërb në luftën për liri, drejtësi dhe solidaritet në historinë botërore.

“Sërbia është partnerja dhe mikesha jonë e respektuar dhe ne ju përgëzojmë për arritjet tuaja si të së kaluarës, ashtu dhe të së ardhmes në rrugëtimin europian“, ka theksuar Heris.

Gjithashtu ky i fundit ka thënë se personalisht është mjaft krenar për partneritetin dhe miqësinë 17 vjeçare mes Gardës Kombëtare të Ohajos dhe Ushtrisë së Sërbisë në kuadër të Programit të partneritetit shtetëror, duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera personale dhe profesionale që ka me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Sërbisë gjeneral Millan Mojsilloviq.

Duke shprehur falenderimet ambasadorit Gjuriq dhe Ambasadës në Uashington për marrëdhënie të jashtëzakonshme me Departamentin e Shtetit, ndihmës sekretari i shtetit në detyrë Martin Mekdauell, u shpreh se në gjysmën e dytë të këtij viti, pret mbërritjen e diplomatëve të parë sërbë të cilët në bazë të Memorandumit mes dy ministrive, do të caktohen përkohësisht në pozicionin e oficerit ndërlidhës në Departamentin e Shtetit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë në mirëkuptim të shërbimit të politikës së jashtme.

“Sot festojmë përvjetorin e shtetësisë së Sërbisë, por edhe partneritetin strategjik mes qytetarëve tanë, ku synon jo vetëm një të ardhme të qëndrueshme, të sigurtë dhe më të begatë për qytetarët e Sërbisë, por edhe për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor“, ka përmbyllur Mekdauell.

Në pritje merrte pjesë edhe kongresmeni Erik Svollvelli cili në fjalën e tij ka theksuar se marrëdhëniet mes Sërbisë dhe SHBA po rriten e zhvillohen.

Mes zyrtarëve të lartë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Sërbisë, ka qenë edhe zv.ndihmës sekretari amerikan i mbrojtjes Spenser Bojer, ish ndihmës sekretari amerikan i shtetit në detyrë ambasador Filip Riker, e më tej ambasadorë dhe të dërguar ushtarakë nga vendet e rajonit dhe Europa, konsulli i përgjithshëm i Republikës së Sërbisë në Çikago Damjan Joviq, si dhe një numër të madh përfaqësuesish të organizatave ndërkombëtare, sektorit joqeveritar, biznesit dhe trupit diplomatik akredituar në Uashington.