Gjuriq: Sërbia e përkushtuar për çrrënjosjen e terrorizmit, bashkëpunon aktivisht me partnerët
Ministri i punëve të jashtme të Sërbisë Marko Gjuriq ka thënë sot në Uashington ku mori pjesë në takimin ministerial të Koalicionit Global në Luftën Kundër Terrorizmit ISIL, se Sërbia është tërësisht e përkushtuar për të çrrënjosur terorizmin, të bashkëpunojë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë në shkatërrimin e këtyre presioneve.
"Me këtë pjesëmarrje, Sërbia edhe një herë nënvizon rëndësinë e luftës kundër terrorizmit global. Sërbia është tërësisht e përkushtuar për çrrënjosjen e terrorizmit i cili përfaqëson kërcënim serioz në kohën në të cilën jetojmë dhe bashkëpunon aktivisht me partnerët ndërkombëtarë përmes kanaleve të inteligjencës, sigurisë, ushtrisë dhe policisë për të luftuar terrorizmin global si kërcënim” ka thënë Gjuriq.
Ky i fundit ka thënë se për Sërbinë terrorizmi nuk është abstrakt dhe gjë në distancë, por diçka, fatkeqësisht prej dekadash është prezent në rajon.
"Dhe prej territoreve të vendit tonë, nga krahina jonë jugore një numër i madh terroristësh kanë shkuar tek ISIS ndërsa e gjithë kjo paraqet arsye më shumë që të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër këtij problemi global” ka nënvizuar Gjuriq.
Ky i fundit ka thënë se takimi i sotëm paraqet një hap më shumë para në operimin e përbashkët ndërkombëtar në përballjen me kërcënimet terroriste.
Gjuriq i cili në marginat e tubimit ka patur mjaft takime bilaterale, ka thënë se ka biseduar dhe me ministrin e ri holandez të punëve të jashtme me të cilin u dakordësua forcimi i kontakteve mes dy institucioneve.
Gjuriq shtoi se Sërbia dhe Holanda kanë histori të gjatë marrëdhëniesh dhe se në Sërbi operojnë një numër i madh kompanish holandeze të cilat kanë punësuar gati 15 .000 punëtorë të cilat kontribuojnë mjaftueshëm në ekonominë sërbe.
"Kam besim se në periudhën e ardhshme mund të përmirësojmë dukshëm raportet me Holandën. Prezantova shancet ekonomike, zhvilluese dhe potencialet e Sërbisë. Biseduam dhe rreth situatës politike dhe të sigurisë në rajonin tonë. Mendoj se bashkëpunimi me Holandën mund të na sjellë shumë dobi“, ka thënë Gjuriq.
Ky i fundit shtoi se për Sërbinë është me rëndësi të jashtëzakonshme mbështetja e Holandës në rrugën europiane të saj.
"Sërbia është vend që kupton me shumë seriozitet reformat, i zbaton dhe i ndërmerr. Ne vijmë në tryezën evropiane jo me dorën e shtrirë, por si një vend që po zhvillohet solidshëm, fuqishëm dhe shpejt ku mund të luajë rol shumë të rëndësishëm në rajonin e gjerë, me ekonomi të shëndetshme, me njerëz që janë të orientuar drejt dijes tek shkenca, të vlefshëm dhe të përkushtuar për të ardhmen” ka shtuar Gjuriq.
0 komentet