Gjuriq: Serbia shfrytëzon çdo mundësi për të vënë në dukje pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë

Marko Đurić Njujork
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka theksuar se Serbia shfrytëzon çdo mundësi për të vënë në dukje pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë, dhe se në Bruksel, si dhe në Uashington, janë të njohur me kërkesat e Serbisë. Megjithatë, ai beson se autoritetet në Prishtinë do të mundohen në çdo mënyrë që, siç thekson ai, t'ua nxijnë jetën serbëve të Kosovës, transmeton RTS.

Pas takimeve në Nju Jork dhe Uashington, por edhe në Bruksel, Gjuriq beson se bashkëbiseduesit me të cilët ka biseduar e kuptojnë më mirë situatën në Kosovë dhe qëndrimin e popullit serb.

“Vuajtjet e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi janë të mëdha dhe çdo takim e shfrytëzoj për t'i afruar bashkëbiseduesit tanë me atë që po kalon populli ynë. Ne e çuam luftën diplomatike në adresat që tradicionalisht e mbështetën Prishtinën. Sot edhe Uashingtoni edhe Brukseli e dinë kërkesën e Beogradit për t'u kthyer në gjendjen e mëparshme. Para së gjithash, kjo nënkupton kthimin e serbëve në polici në veri të Kosovës dhe Metohisë, mbajtjen e zgjedhjeve në komunat e veriut dhe mos drejtimin nga njerëz që kanë mbështetjen e 0.03 për qind të qytetarëve, si dhe që gjyqtarët dhe prokurorët serbë të marrin pozitat e tyre në sistem. Unë nuk jam optimist për këtë dhe mendoj se regjimi i Kurtit gjithmonë do të kërkojë një mënyrë për t'ua vështirësuar jetën serbëve”, shpjegon Gjuriq.

Ai shton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e priste një rezistencë kaq të fortë dhe të mirëmenduar, në radhë të parë nga vetë serbët e Kosovës, të cilët nuk duan të zbatohet aparteidi nga regjimi i Prishtinës.
Kur bëhet fjalë për njoftimet se Prishtina mund të heqë ndalimin e hyrjes së mallrave nga Serbia qendrore, Gjuriq thotë se bllokada e regjimit të Kurtit prek më të cenuarit.

“Këta janë njerëz të zakonshëm dhe këtu nuk bëhet fjalë nëse do të blini qumësht serb apo ndonjë qumësht të importuar nga kush e di, por kjo çon edhe në mbylljen e dyqaneve dhe humbjen e vendeve të punës”, tha Gjuriq.

Siç theksoi ai, Serbia në thelb i përket Evropës, por ajo ndjek një politikë të shtrirjes së dorës ndaj të gjithëve.

“Ne kemi treguar se jemi të orientuar drejt së ardhmes, se duam të ndërtojmë rrugë dhe ura bashkëpunimi me të gjithë. Me paraqitjet e delegacionit të Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në forume ndërkombëtare dhe në OKB, kemi treguar se jemi një nga vendet e pakta që dialogojmë aktiv si me vendet perëndimore ashtu edhe me ato lindore”, thotë Gjuriq.

Kohët e fundit po përmendet gjithnjë e më shpesh ndryshimi i paradigmës në Ballkanin Perëndimor, por ministri i Jashtëm kujton se atmosfera në forumet ndërkombëtare nuk është asnjëherë e lehtë për Serbinë.

“Gjithmonë ka nga ata që do t'i ngulnin disa etiketa Serbisë dhe do ta kthenin në vitet '90. Megjithatë, ne kemi treguar se jemi të orientuar drejt së ardhmes, se duam të ndërtojmë rrugë dhe ura bashkëpunimi me të gjithë. Serbia dëshiron një rajon tjetër, të orientuar drejt së ardhmes, jo të kaluarës”, tha Gjuriq.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Gjermaninë, ai thekson se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është në rritje të vazhdueshme.

“Presidenti Vuçiq pati disa bisedime të rëndësishme strategjike me kancelarin Scholz në muajt e fundit, gjë që është shumë e rëndësishme për pozicionimin tonë në atë pjesë të komunitetit ndërkombëtar. Ka shumë njerëz në Gjermani që e kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, dhe shpresoj që këto trende pozitive do të vazhdojnë. Ne nuk jemi gjithmonë dakord, kemi qëndrime dhe këndvështrime të ndryshme për disa çështje, por në thelb jemi europianë po aq sa edhe gjermanë”, theksoi Gjuriq.

Gjuriq rithekson se Serbia nuk i harron miqtë e saj nga Afrika, Amerika Latine dhe Azia dhe thekson se falë një politike të tillë, 27 shtete kanë ndryshuar qëndrim për Kosovën dhe se sot 110-111 shtete e mbështesin Serbinë në këtë çështje.

"Në botë, ligji i më të fortëve sundon gjithnjë e më shumë, por Serbia do të vazhdojë t'i përmbahet me vendosmëri të drejtës ndërkombëtare, me duart e shtrira për të gjithë. Ne gjithashtu do të përpiqemi të vazhdojmë të krijojmë një mjedis më miqësor, më të sigurt dhe më të zhvilluar në rajon”, tha Gjuriq.