Gjuriq: Takimi mes shefave të shtabit të përgjithshëm amerikan dhe atij serb është shumë i rëndësishëm për Serbinë
Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, ka bërë të ditur se takimi i djeshëm në Pentagon i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneral Millan Mojsilloviq, me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA-së, gjeneral Mark Milli, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Serbinë.
Gjuriq ka thënë në Facebook se në takim janë diskutuar çështjet me interes për të dyja palët dhe hapat që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së.
“Pata nderin të marr pjesë në bisedimet e para ndërmjet shefit të shtabit të përgjithshëm amerikan dhe atij serb pas më shumë se një dekade, të cilat u mbajtën në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë”, tha Gjuriq.
Siç njofton Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, gjenerali Mojsilloviq ka pasur disa takime me gjeneralin Milli dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së.
Në takimet u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në botë dhe sfidat në rajon, si dhe për bashkëpunimin ushtarak bilateral ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së. Bisedat ishin të hapura, përmbajtësore, profesionale dhe të fokusuara në të ardhmen.
Në vazhdim të vizitës në Uashington, Mojsilloviq do të takohet me shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, gjeneralin Daniel Hokanson, me të cilin do të diskutojë për bashkëpunimin ushtarak dypalësh në fushat me interes të përbashkët, me theks në bashkëpunimin ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe Gardës Kombëtare të Ohajos.
komentet