Gofus në Bruksel me delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës: Vendimet për urën e Ibrit duhet të merren përmes dialogut

Tomas Gofus
Burim: Reporteri

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Tomas Gofus, ka biseduar sot në Bruksel, në takime të ndara, me delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës dhe tha se Aleanca e mbështet plotësisht procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, si dhe se vendimet për hapjen e urës mbi Ibër duhet të merren përmes dialogut, me koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar, dhe në një mënyrë që nuk rrezikon sigurinë e komuniteteve lokale apo trupave të NATO-s.

Takimet janë mbajtur në margjinat e dialogut me mbështetjen e BE-së, të organizuar nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Gofus ka folur me përfaqësuesit e të dyja palëve për situatën e sigurisë në Kosovë dhe ka përmendur problemet e sigurisë që kanë të bëjnë me hapjen e mundshme të urës së Ibrit në Mitrovicën e Veriut për trafikun rrugor.

Ai theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

“Vendimet duhet të merren përmes dialogut, me koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar dhe në një mënyrë që të mos rrezikojë sigurinë e komuniteteve lokale apo trupave të NATO-s. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja është i detyruar me mandatin e tij të OKB-së që të merret me të gjitha problemet e sigurisë dhe të sigurojë një mjedis të sigurt”, tha Gofus, siç raporton KFOR-i.

Ai shtoi se KFOR-i do të vazhdojë të mbajë praninë e tij të vazhdueshme në urë dhe të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.

Ai përsëriti mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me mbështetjen e BE-së.

“Është një kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, e cila është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

NATO ka një bashkëpunim afatgjatë me Bashkimin Evropian dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë në mbështetje të stabilitetit rajonal.