Gogiq: Rama dhe Kurti në luftë për liderin shqiptar, konflikt politik dhe personal

Ognjen Gogić
Burim: Kosovo Online

Mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës ka konflikte shumë të thella dhe të natyrës personale dhe politike. Në thelb është një luftë për supremaci, pra se kush do të jetë lideri shqiptar, sepse në korpusin shqiptar ato role nuk janë të përcaktuara dhe Rama e Kurti e shohin veten si lider kryesor mbarëshqiptar. Derisa të kristalizohen marrëdhëniet hierarkike mes tyre, ndoshta nuk mund të presim që të ketë takime të ndërsjella dhe disa mesazhe të ndryshme, thotë politologu Ognjen Gogiq për Kosovo online.

Ai komenton kështu faktin se kryeministri i Shqipërisë ka vizituar Prishtinën të hënën, por nuk është takuar me Kurtin. Rama nuk ishte as në ngjarjen që shënoi përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit atë ditë dhe Gogiq thotë se kjo tregon ndër të tjera se nuk ka dashur të marrë pjesë në “triumfin e Kurtit”, sepse Kurti “doli në skenë” në ky tubim dhe dërgoi mesazhe mbarëshqiptare.


“Rama ndoshta do të ishte vetëm në audiencë, gjë që në fakt do të sugjeronte se ai është i varur atje dhe ka një rol dytësor në atë lëvizje mbarëshqiptare. Rama e gjykoi se ishte e pamatur politikisht që ai të ishte atje. Ai u takua me Vjosa Osmanin në Prishtinë, gjë që tregoi se ai bën dallimin në lidershipin e Kosovës dhe se e njeh dallimin që ekziston mes tyre. Ai është takuar edhe me kryetarin e Prishtinës dhe më pas ka dërguar mesazhe kritike për qeverinë në Prishtinë. E gjithë kjo kur shikohet bashkë, tregon se sa është konflikti mes tij dhe Kurtit dhe që të dy shfrytëzojnë çdo mundësi për ta nënvizuar”, vlerëson Gogiq.

Siç thotë ai, Rama dhe Kurti i ndajnë shumë gjëra, e njëra prej tyre është se Rama donte të kishte një rol të caktuar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, siç kishte në kohën kur Hashim Thaçi i drejtonte negociatat nga anën e Kosovës.

“Mirëpo, Kurti nuk e dëshiron këtë. Ai nuk dëshiron që Rama të pyetet, por se është vetëm Prishtina që i përcakton kushtet e dialogut me Beogradin pa rolin e madh të Ramës. Kësaj Rama iu përgjigj në mënyrën e tij, duke tentuar të margjinalizojë Kurtin duke bërë një herë vetë një draft të statutit për AKS, duke shprehur mendimin e tij për çështjen e AKS, por edhe për marrëveshjet si ajo franko-gjermane dhe në përgjithësi duke kritikuar politikën dhe qasjen e Kurtit në dialog. Dhe tani në Prishtinë ka kritikuar qeverinë e Kosovës ku ka thënë se ajo e bën politikën e jashtme me funksion të politikës së brendshme, që është një gjë jodiplomatike në kuptimin që vini në kryeqytet dhe kritikoni veprimet e asaj qeverie”, thotë Gogiq.


Kurti, shton ai, nuk është pa përgjegjësi për marrëdhënien siç ekzistojn, sepse dikur ai drejtoi një fushatë kundër Ramës në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ku kishte kandidatët e tij dhe dallimet mes tyre ekzistonin edhe për sa i përket Nismës së Ballkanit të Hapur, një nga propozuesit kryesorë të së cilës ishte Rama, ndërsa Kurti ishte kundërshtar i nismës dhe e perceptoi atë si një tradhti nga Shqipëria.

“Në marrëdhëniet e tyre është diskutueshme edhe marrëdhënia mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilët kanë një lloj partneriteti që Kosova nuk e ka parë kurrë me miratim dhe gjithmonë ka pasur frikë se mos margjinalizohet. Gjithashtu Rama ka qenë në marrëdhënie shumë të mira me Hashim Thaçi e mbështeti Thaçin gjatë negociatave me Beogradin dhe dikur e vizitoi Thaçin në paraburgim në Hagë, gjë që Kurti e shihte si sulm ndaj vetes, pasi kundërshtari kryesor politik i Kurtit ishte Hashim Thaçi gjatë gjithë kohës”, thotë Gogiq.

Ai tregon se është interesant fakti që Rama është takuar të hënën me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani pasi siç thekson ai, të dy nuk kanë pasur marrëdhënie të mira në të kaluarën.

“Marrëdhëniet e Ramës me Thaçin dhe Vuçiqin dikur i rëndonin edhe raportet që kishte me Osmanin. Mirëpo, ka pasur një çarje në marrëdhëniet në vetë Kosovën, mes presidentit Osmani dhe kryeministrit Kurti, dhe duket se Osmani në njëfarë mënyre po i kundërvihet Kurtit duke i dalë krah Ramës. Ajo në fakt tregoi se është në marrëdhënie të mira me kundërshtarët e Kurtit. Në fakt kjo tregon se marrëdhëniet mes liderëve shqiptarë janë shumë më të ndërlikuara dhe më komplekse sesa do të supozonim këtu dhe se ato madje ndryshojnë në disa çështje kyçe të interesit të tyre kombëtar”, përfundon Gogiq.