Gogiq: Takimi i paralajmëruar në Bruksel nuk sjell asgjë të re, pa përparim në dialog
Takimi i paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 14 shtator në Bruksel nuk do të sjellë asgjë të re dhe nuk do të ketë përparim në dialogun dhe zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës, sipas politologut Ognjen Gogiq, transmeton RTK.
Siç ka thënë Gogiq, ende nuk dihet agjenda e atij takimi.
Sipas fjalëve të tij, situata në veri aktualisht është e qetë, por jo e zgjidhur.
"Nuk dihet ende nëse do të jetë një takim në nivelin më të lartë apo një takim i ekipeve teknike, nëse do të ketë bisedime të drejtpërdrejta apo nëse do të ketë takime të ndara. Nuk e dimë, as agjendën. Mund të supozojmë vetëm se kriza në veri të Kosovës është përfshirë në agjendë e cila ende nuk është zgjidhur. Kemi disa muaj që kemi të njëjtën situatë, situata në terren është qetësuar, por nuk është bërë asnjë hap thelbësor drejt stabilizimit dhe kthimit në gjendjen normale.”, thekson Gogiq.
Ai supozon se kjo do të jetë pika e parë e rendit të ditës në takimin e ardhshëm.
“Të diskutohet se sa larg kemi arritur me këtë dhe pse nuk ka ndodhur ende deeskalimi i përcaktuar nga BE që duhej të ndodhte në fillim të korrikut, për të tërhequr forcat speciale të policisë nga ndërtesat komunale dhe për të mbajtur zgjedhjet lokale në veri, ende nuk ka zhvillime të rëndësishme”, thotë Gogiq.
Ai kujton se edhe më herët ka pasur situata kur ka pasur kriza aktuale, dhe janë trajtuar çështje të tjera në kuadër të dialogut, si Deklarata për të Zhdukurit apo Marrëveshja për Energjinë.
“Pra, është e mundur se ata do të flasin për disa gjëra të tjera që nuk kanë të bëjnë me krizën në veri dhe që kriza të vazhdojë”, tha Gogiq.
Gogiq theksoi se nuk ka shumë pritje nga dialogu në periudhën e ardhshme, si dhe nga takimi i paralajmëruar.
0 komentet