Gudzhiq: Frika mbeti pas ngjarjeve në Banjskë, nuk përjashtoj incidente të reja
Pas ngjarjeve të djeshme në Banjska, gjatë të cilave u vranë së paku katër persona, në Kosovë ndihet frika, thotë analisti politik Aleksandar Gudzhiq dhe paralajmëron se nuk përjashtohet që të ketë incidente të reja, sepse siç thekson ai, “një dhunë çon në një tjetër".
Në një prononcim për Kosovo online, Gudzhiq tha se epilogu i ngjarjeve të djeshme ishin disa të vdekur, bllokada e Banjskës, një traumë për ata që jetojnë atje dhe që ishin në bllokadë gjatë gjithë ditës dhe “dëshmuan skena lufte”.
Në këto situata, të gjithë janë humbës, shton ai.
“Këtu nuk ka fitues, të vetmit humbës janë qytetarët e Kosovës që kaluan gjithë ditën e djeshme në një lloj gjendje të jashtëzakonshme dhe prisnin se çfarë mund të ndodhte, dhe nëse ajo dhunë dhe ato të shtëna me armë, mund të prodhonte një konflikti në përmasa më të gjera, që të shpërndahet edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Prandaj, nuk ka fitues, vetëm humbës”, tha Gudzhiq.
Duke marrë mësime nga përvoja e kaluar, nënvizon ai, serbët në Kosovë kanë frikë nga incidente dhe konflikte të reja.
“Duke ditur gjithçka që ka bërë Prishtina në muajt dhe vitet e kaluara, nuk përjashtohet që të ketë incidente dhe konflikte të reja, sepse një dhunë çon në një dhunë tjetër dhe kështu çdo gjë shkon në rreth”, tha Gudzhiq.
Ai tregon se nuk është befasuar nga reagimi, përkatësisht mungesa e një reagimi të KFOR-i.
“NATO dhe KFOR-i sillen si legalistë dhe i përkrahin institucionet me të gjitha të metat që kanë ato institucione, por kjo është diçka me të cilën po ballafaqohemi me vite të tëra, që bashkësia ndërkombëtare, mbi të gjitha pjesa e saj perëndimore, e ka mirëkuptimin e dhunës që ushtron Prishtina mbi serbët, ose ka arsyetim për atë që Prishtina ka bërë me vite”, tha Gudzhiq.
Duke iu referuar faktit se edhe familja e policit të vrarë të Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të mos mbajë forcat speciale në veri, por t'i zgjidhë gjërat me dialog, Gudzhiq pajtohet se zgjidhja janë bisedimet.
“Dialogu është zgjidhja e vetme racionale dhe diçka për të cilën duhet të insistojë Albin Kurti, sepse dhuna që po bën në veri të çon në dhunë të tjera, është si një spirale, një sistem, sa më shumë ta shtypësh, ajo në një moment shpërthen”, përfundoi Gudzhiq.
komentet