Hill: Bashkësia e Komunave Serbe duhet të formohet, 10 vjet është shumë e gjatë

Kristofer Hil
Burim: Kosovo Online

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kristofer Hill tha se është e rëndësishme që të gjithë të pajtohen që Bashkësia e Komunave Serbe duhet të formohet, aq më tepër që ishte paraparë me marrëveshjen e 10 viteve më pare, të cilën e ka vlerësuar si një periudhë shumë të gjatë, raporton RTV.

Në panelin “E ardhmja e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” në Forumin e Biznesit në Kopaoniku, Hill tha se marrëveshjet duhet të respektohen dhe se është gjithashtu një provë për autoritetet në Prishtinë që të kuptojnë se çfarë duhet bërë për të përmbushur standardet evropiane.

“Arsyeja e dytë është se nuk duhet të jesh historian apo antropolog për të ditur se serbët kanë jetuar në Kosovë me shekuj dhe ata kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Është një test për autoritetet në Prishtinë që të kuptojnë se çfarë duhet të zgjidhet për të përmbushur standardet evropiane. Është shumë e rëndësishme që qeveria në Beograd të ndihmojë serbët që të jenë të suksesshëm si komunitet. Jam optimist se kjo  mund të ndodhë”, ka thënë Hill, transmeton Tanjug.

Ai shtoi se mori pjesë në një panel në Kopaonik kushtuar kryeministrit të ndjerë Zoran Gjingjiq dhe tha se në mesin e pjesëmarrësve ai pa trishtim të madh tek të gjithë ata që folën për të.

“Ne dëgjuam në filmin dokumentar se çfarë tha ai për aspiratat drejt BE-së. Duhet të ecësh përpara, e kaluara është e kaluara. Nuk duhet të diskutojmë vetëm problemet, por edhe mundësitë”, tha ambasadori amerikan.

Ai vlerësoi se BE-ja është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Evropës në shekujt e fundit.

“Ka vështirësi, por duhet të fokusohemi te qëllimi, BE është përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve edhe jashtë BE-së.

Shpesh lodhemi duke folur për burokraci, por të gjithë në Evropë duhet të përpiqen për anëtarësim”, shtoi ai.

Sipas fjalëve të tij, Serbia herët a vonë do të bëhet anëtare, sapo të plotësojë të gjitha kërkesat.

Ai vuri në dukje se kapitujt dhe grupimet janë të vështira për t'u kuptuar, por edhe që gjërat duhet të ndodhin, dhe se sundimi i ligjit është kusht absolut për këtë.

“Institucione të forta – më tregoni institucione të forta dhe do të keni më pak korrupsion dhe anasjelltas. Në fund të fundit, Serbia duhet të ketë politika të forta dhe të zgjidhë çështjen e Kosovës, gjë që është shumë e vështirë”, tha Hill.