Pse në Prishtinë e shohin propozimin evropian si dënim për Kosovën?
Plani evropian si dënim për Kosovën? Të paktën kështu pohojnë shumë politikanë, analistë dhe pjesëtarë të sektorit civil në Prishtinë, të cilët nuk e fshehin pakënaqësinë e tyre për atë që ndodhi në takimin e fundit në Bruksel. Sipas bashkëbiseduesve të Kosovo Online, në Kosovë ka rezistencë të madhe ndaj planit evropian, para së gjithash për shkak se nuk flitet për njohje nga Beogradi.
Koordinatori i Grupit Punues për Kapitullin 35, Dragisha Mijaçiq tha për Kosovo Online se në Prishtinë ka një rezistencë të madhe ndaj planit evropian, para së gjithash për shkak të pritjeve të zhgënjyera se kjo marrëveshje do ta detyronte Serbinë ta njohë Kosovën, gjë që nuk ndodhi.
“Në periudhën paraprake, Kurti ngriti pritjet se çfarë dëshiron të arrijë Kosova nga ky proces, i cili tani po përdoret nga partitë politike për të akuzuar Qeverinë e Kosovës për dështim në negociata. Në këtë mënyrë, çështja e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve vendoset në kontekstin e luftës së brendshme politike për pushtet, e pritshme nga këndvështrimi i sjelljes së aktorëve politikë, por është kundërproduktive kur bëhet fjalë për arritjen e marrëveshjes me Serbinë”, thotë Mijaçiq.
Njohësi i çështjeve politike, Shkelzen Maliqi, thotë për Kosovo Online se në Kosovë ekziston besimi se ndërmjetësit ndërkombëtarë në dialog po i bëjnë disa lëshime Serbisë kur është fjala për propozimin evropian.
“Në Kosovë ekziston besimi se BE-ja dhe ndërmjetësit në dialogun që punojnë për marrëveshjen po i bëjnë disa lëshime Serbisë dhe po i shtyjnë kufijtë e kompromisit që bazohet në planin e Ahtisarit dhe në marrëveshjet që janë arritur deri më tani“, thotë Maliqi.
Ai shton se në një farë mënyre Serbia është e favorizuar në këtë propozim për shkak të synimeve dhe interesave më të larta gjeostrategjike, ndërsa nga Kosova kërkohen lëshime të reja.
“Mendoj se është pak e politizuar edhe historia e brendshme e Kosovës, se kush do të nënshkruajë marrëveshjen në të cilën është vendosur Bashkësia e Komunave Serbe si një lloj koncesioni i ri dhe ka frikë nga formimi i tij për shkak të shembullit të Republikës Srpska në Bosnja dhe Hercegovina”, shton Maliqi.
Maljiqi thekson se përshtypja është se është më e rëndësishme që BE-ja, SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare ta kenë Serbinë në marrëveshje, sepse deri diku kuptohet që Kosova duhet të nënshkruajë ashtu siç është.
Dragan Shutanovac, kryetar i Këshillit për Politika Strategjike, tregon për Kosovo Online se Kurti e kuptoi vonë se edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të respektojë disa nga kërkesat e Serbisë.
"Qytetarët i bazojnë pritjet e tyre në radhë të parë në atë që politikanët u premtojnë apo u shërbejnë si politikë e tyre. Nëse premtimet janë më të mëdha, atëherë pritjet janë më ambicioze, por problemi lind kur premtimet janë joreale dhe politika tejkalohet. Problemi i Kosovës, sado varet nga bashkësia ndërkombëtare, sigurisht që varet nga të dyja palët në procesin e negociatave, dhe këtë herë Kurti e kuptoi me vonesë se edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të respektojë disa nga kërkesat e Serbisë, veçanërisht ato që tashmë janë nënshkruar. Me qëndrimin e tij të ngurtë në lidhje me formimin e BKS-së dhe mosnjohjen e Marrëveshjes së Brukselit në pjesën që mendon se nuk i përshtatet, Kurti ngriti shiritin e pritshmërive dhe kështu e vendosi veten në një pozitë të palakmueshme, duke pasur parasysh se partitë opozitare do të kenë të drejtë ta sulmojnë atë. Sipas bindjes time, ky sulm nuk është për shkak të marrëveshjes, një pjesë e madhe e opozitës do ta pranonte marrëveshjen, por është sulm ndaj Kurtit si lider politik të cilin do të donin ta zëvendësonin”, thotë Shutanovac dhe vazhdon: “Nga ana tjetër, statusi i KOS-it është ndër pikat më e rëndësishme të marrëveshjes dhe besoj se Beogradi do të vazhdojë të insistojë që KOS-i të vendoset veçmas në marrëveshje. Ngjarjet e 17 marsit 2004 bënë xhiron e botës, të gjithë e panë se si e trajtuan ekstremistët me KOS-in, ndaj është e qartë për negociatorët ndërkombëtarë se edhe kjo çështje duhet të zgjidhet që të mos përsëritet vandalizmi”.
0 komentet