Hill: SHBA-të presin me gëzim bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Serbisë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kristofer Hill, tha se Qeveria e Shteteve të Bashkuara pret me gëzim vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Serbisë për çështje me interes të përbashkët, duke shtuar se parregullsitë e vërejtura nga vëzhguesit ndërkombëtarë gjatë zgjedhjeve duhet të zgjidhen përmes institucioneve.
Hill ka postuar një mesazh në rrjetin social “X” në lidhje me zgjedhjet në Serbi pasi siç thotë ai, këto ditë i janë bërë shumë pyetje rreth saj.
Sipas tij, interesi i ndërsjellë i SHBA-së dhe Serbisë përfshin çështjet rajonale, por edhe dëshirën e Serbisë për t'u bërë plotësisht pjesë e familjes së kombeve perëndimore.
"Ka ende shumë gjëra që Serbia duhet të arrijë në mënyrë që të jetë e gatshme për atë rrugëtim, dhe njëra prej tyre është sundimi i ligjit. Zgjedhjet në çdo vend janë një test stresi për demokracinë, por nuk ka demokraci pa zgjedhje”, tha ai.
Siç shton ai, vëzhguesit ndërkombëtarë që kanë qenë në Serbi dhe kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë zbuluar disa mangësi në lidhje me këto zgjedhje.
Ai thotë se është e rëndësishme që Serbia të punojë me institucionet ndërkombëtare si OEBS për zgjidhjen e këtyre çështjeve.
“Çdo vend duhet të ketë një lloj qëndrueshmërie, që të mund të rikuperohet nga ato momente pas zgjedhjeve, kur pjesëmarrësit nuk janë shumë të kënaqur me njëri-tjetrin”, tha Hill.
Ai shton se Serbia duhet t'i zgjidhë këto çështje përmes institucioneve në mënyrë që të bëhet një vend më i fortë.
0 komentet