Holstein: Dialogu Beograd–Prishtinë në rrugë pa krye, zbatimi i marrëveshjeve parakusht për deeskalim
Ambasadorja e Gjermanisë në Beograd, Anke Holstein, deklaroi se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ndodhet në rrugë pa krye, duke theksuar se, nga këndvështrimi i Gjermanisë, parakushti më i rëndësishëm për deeskalim dhe bisedime konstruktive është zbatimi i plotë dhe i besueshëm i marrëveshjeve ekzistuese, para së gjithash i Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit, për çka duhet të angazhohen të dyja palët.
Holstein theksoi se stabiliteti, pajtimi dhe integrimi evropian janë thelbësore.
“E ardhmja e përbashkët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Ajo që është gjithashtu e rëndësishme në këtë rrugë, dhe kjo vlen për të gjithë në rajon, është përballja e sinqertë me historinë e vet dhe studimi i saj, sado e dhimbshme të jetë kjo. Kur shikimi nuk mbetet i ngulur në pasqyrën e pasme, është më e lehtë të ecet përpara”, theksoi Holstein.
Ajo theksoi se Gjermania dhe BE-ja edhe në të ardhmen do të vazhdojnë ta mbështesin në mënyrë konsekuente dialogun, do t’u bëjnë thirrje të dyja palëve për zbatimin e plotë dhe të shpejtë të të gjitha marrëveshjeve dhe do të ndjekin intensivisht realizimin e dakordimeve, si dhe se vetëm zbatimi i plotë krijon besim dhe sjell siguri për të gjithë qytetarët, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, dhe mundëson përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Holstein theksoi se, edhe pse ka punuar në funksione të ndryshme në disa vende të rajonit, pas marrjes së detyrës në Beograd ishte befasuar pozitivisht nga afërsia dhe larmia e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë, dhe jo vetëm në ekonomi dhe bashkëpunimin në fushën e zhvillimit.
“Këtë vit shënojmë 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona. Në kontekstin ndërkombëtar ekziston një gamë e gjerë temash për të cilat mbajmë të njëjtin qëndrim. Kontaktet ndërmjet njerëzve janë të panumërta, ndërsa gjermanishtja është gjuha e dytë më e preferuar në Serbi. Dhe kur, fjalë për fjalë, digjet, ne jemi aty për njëri-tjetrin. Këtë verë zjarrfikësit nga Serbia u ofruan ndihmë kolegëve të tyre në Francë dhe Spanjë, ndërsa zjarrfikësit nga Gjermania dhe BE-ja i erdhën në ndihmë Serbisë. Kjo tregon se sa të afërta janë lidhjet ndërmjet dy vendeve tona, edhe pse nuk kemi të njëjtin qëndrim për të gjitha çështjet”, tha Holstein.
Ajo tha gjithashtu se ishte befasuar në mënyrë të pakëndshme nga ky vështrim intensiv drejt pasqyrës së pasme, jo vetëm në Serbi.
“Kush dëshiron të përparojë, duhet ta drejtojë shikimin përpara! Një drejtues i kujdesshëm, megjithatë, gjithmonë ndjek edhe atë që ndodh në pasqyrën e pasme. Sepse përballja e sinqertë me të kaluarën është e rëndësishme, edhe pse kërkon kohë dhe lë plagë. Kjo vlen për çdo vend. Kam qenë dëshmitare e kësaj në Gjermani, prandaj e di se është e mundur, edhe pse ka zëra që do të donin të shtypnin shumë gjëra. Është e rëndësishme që çdo shoqëri, për vete, dhe kështu edhe këtu në Serbi, të përballet me historinë e saj”, theksoi Holstein.
Ajo vuri në dukje se Gjermania është bindshëm investitori më i rëndësishëm dypalësh dhe partneri më i rëndësishëm i Serbisë në fushën e zhvillimit dhe se kompanitë gjermane punësojnë rreth 80.000 persona në Serbi, duke rikujtuar se shkëmbimi tregtar dypalësh ndërmjet dy vendeve në vitin 2025 arriti në më shumë se dhjetë miliardë euro, me tendencë rritjeje të mëtejshme.
“Që nga viti 2000, Gjermania ka ndarë më shumë se 2,5 miliardë euro për tranzicionin ekonomik, arsimin profesional dual, qeverisjen e mirë, përfshirjen sociale, energjetikën dhe mbrojtjen e mjedisit dhe klimës. Rezultatet janë të dukshme në të gjithë Serbinë. Në më shumë se 40 qytete dhe njësi të vetëqeverisjes lokale, fondet janë investuar në furnizimin me energji, ujë dhe në sistemet e trajtimit të ujërave të zeza, nga të cilat kanë përfituar më shumë se tre milionë njerëz”, tha ajo.
Holstein shtoi se Gjermania, përmes të ashtuquajturave linja “të gjelbra” të kreditimit, ka investuar edhe në sektorin privat, duke investuar më shumë se 465 milionë euro, dhe se mbi 85.000 përfitues të këtyre kredive, me ndihmën e investimeve të gjelbra, kanë përmirësuar efikasitetin energjetik në ndërmarrjet e tyre, gjë që, siç theksoi ajo, është e mirë për mjedisin dhe kursen para.
“Falë bashkëpunimit tonë në fushën e zhvillimit, në Serbi tani ekziston institucioni juridik i noterisë publike sipas modelit të Evropës kontinentale. Organizatat gjermane, si Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, e kanë mbështetur këtë reformë, duke filluar nga hartimi i ligjeve dhe standardizimi, deri te arsimimi profesional cilësor i fuqisë punëtore në terren”, tha ambasadorja.
Ajo shtoi se për qytetarët e Serbisë, por edhe për ekonominë, noteria publike ka sjellë përmirësime të konsiderueshme, duke theksuar se noterët publikë i kanë lehtësuar në masë të madhe gjykatat, të cilat ishin të mbingarkuara me lëndë të pazgjidhura.
“Punët rutinë, si blerja e pasurive të paluajtshme, vërtetimi i dokumenteve publike apo procedurat e trashëgimisë, jo vetëm që kryhen më shpejt dhe në mënyrë më efikase, por edhe në mënyrë transparente dhe me siguri juridike, përmes zbatimit të standardeve të përcaktuara qartë të cilësisë. Gjermania, përmes bashkëpunimit për zhvillim, ka kontribuar që jeta e njerëzve në Serbi të përmirësohet ndjeshëm. Ky është themeli mbi të cilin do të vazhdojmë të ndërtojmë. Partneriteti ynë nuk përbëhet vetëm nga shifra, projekte dhe suksese, por edhe nga kontaktet ndërmjet njerëzve”, tha ajo.
Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Serbisë dhe investitori më i madh, ndërsa potencialin më të madh për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për ardhjen e teknologjive të reja, ambasadorja gjermane e sheh në thellimin e bashkëpunimit teknologjik, para së gjithash në fushën e transformimit të gjelbër, burimeve të rinovueshme të energjisë, efikasitetit energjetik dhe digjitalizimit.
Ajo theksoi se, nga pikëpamja ekonomike, ekziston një sinergji e madhe dhe se ndër vite është dëshmuar se njohuritë gjermane dhe prodhimi në Serbi së bashku përbëjnë një garanci për sukses.
Pjesë e këtij bashkëpunimi është edhe forcimi i mbështetjes për afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian. Procesi i integrimit evropian po zgjat prej kohësh, ndërsa Holstein konsideron se ai tashmë po sjell përparim të prekshëm për qytetarët e Serbisë.
“Këtu përfshihen ndihma e paraanëtarësimit që BE-ja i jep Serbisë, regjimi pa viza, pagesat e thjeshtuara në zonën SEPA dhe së shpejti edhe roaming-u falas në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, BE-ja, përmes fondit të saj për reforma dhe rritje, mund t’i ofrojë Serbisë mbështetje shtesë, e cila, megjithatë, kushtëzohet me përparim konkret në zbatimin e reformave”, tha Holstein.
Ajo theksoi se, përveç kësaj, Procesi i Berlinit kontribuon në integrimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, rrjedhimisht, edhe në integrimin e tyre evropian.
“Edhe ne do të dëshironim që gjërat të zhvilloheshin më shpejt. I kemi dërguar Komisionit Evropian propozime se si mund t’i jepet një shtysë shtesë procesit të integrimit evropian të të gjithë kandidatëve, megjithatë ky proces kushtëzohet nga rezultatet e arritura dhe varet nga përparimi konkret në fushat themelore, si demokracia, sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtja e lirisë së medias”, tha ambasadorja e Gjermanisë.
Ajo theksoi se po i ndjekin me vëmendje zgjedhjet e ardhshme, duke u kujdesur që ato të jenë të lira dhe të ndershme, dhe se vendimtare është një vullnet politik i shprehur qartë për t’i zbatuar në praktikë këto reforma tejet të nevojshme, me vendosmëri dhe në mënyrë konsekuente.
komentet