Hovenier: Nëse qeveria nuk është partneri ynë për çështjen e rregullores, kjo do të ndikojë në cilësinë e partneritetit tone
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është drejtuar gazetarëve në Prishtinë, pasi ai dhe ambasadorët e tjerë të akredituar në Prishtinë morën pjesë në një takim me kryeministrin Kurti, zëvendësin e tij Bislimi dhe ministrin e Financave në Qeverinë e Kosovës, Murati.
Hovenier ka thënë se temë e bisedës ka qenë vendimi i BQK.
"Shpresojmë të shohim një shtyrje të zbatimit. Siç e thashë edhe më herët në deklaratë, ne jemi të shqetësuar se zbatimi i kësaj rregulloreje, nëse nuk ka korrigjime, do të ndikojë tek komunitetet pakicë, përfshirë edhe atë serb. Kjo është biseda që kemi pasur, do të thosha se të gjithë nga ana diplomatike kemi shprehur shqetësime të ngjashme. Shpresojmë të shohim një vonesë në këtë vendim derisa të punohet më shumë për të zhvilluar një strategji dhe dispozita që do të përfshinin si realitetet ashtu edhe shqetësimet e komuniteteve pakicë si dhe disa çështje praktike, se si individët që kanë marrë ndihmojnë në para nga posta tani në një mënyrë që u përshtatet atyre. Besojmë se nuk ka informacion të mjaftueshëm publik që e sqaron këtë. Ne respektojmë dhe mbështesim dhe mirëpresim zbatimin e Kushtetutës së Kosovës dhe ne e respektojmë dhe e njohim rolin e bankës qendrore, në fakt, SHBA-ja luan një rol të rëndësishëm në ndihmën dhe mbështetjen e këtyre institucioneve, ne mbështesim përpjekjet për parandalimin e krimeve financiare, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, por jemi shumë të shqetësuar për mënyra se si është zbatuar kjo rregullore”, tha Hovenier.
I pyetur nëse ka ndonjë shenjë nga Qeveria e Kosovës se do të ndryshojnë vendimin e tyre dhe nëse nuk e bëjnë, nëse Kosova kërcënohet të përballet me sanksione nga SHBA-ja apo BE-ja, Hovenier thotë se do ta lërë Qeverinë e Kosova flet vetë, dhe se shpresojmë që Qeveria të jetë partnere e SHBA-së në zbatimin e rregullores, e cila do të zbatohej në atë mënyrë që të përmbushë standardet evropiane dhe të mos rrezikojë askënd.
“Për aq sa Qeveria e Kosovës do të jetë e gatshme të jetë partneri ynë në tejkalimin e këtyre shqetësimeve, ajo do ta forcojë partneritetin tonë. Për aq sa qeveria nuk dëshiron të jetë partneri ynë në këtë çështje shumë të ndjeshme, do të ndikojë në cilësinë e partneritetit tonë”, tha ambasadori amerikan.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Hovenier po ashtu tha se për këtë temë nuk ka biseduar me liderët e opozitës në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thirrur sot një takim me të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë. Tema kryesore e diskutimit ishte rregullorja e fundit e BQK-së.
komentet