Hovenier: Procesi i normalizimit përfundon me njohjen e ndërsjellë
Ambasadori amerikan në Kosovë, Geoffrey Hovenier, ka thënë sot se SHBA shpresojn që në vitin 2024 të shihet progres real në zbatimin e marrëveshjes që Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023 dhe siç ka theksuar ai, “procesi i normalizimit përfundon me njohje e ndërsjellë, sepse Kosova dhe Serbia po përpiqen të arrijnë rrugën e tyre drejt BE-së”.
"Në shkurt dhe mars të këtij viti, Kosova dhe Serbia ndërmorën hapa të guximshëm drejt normalizimit përmes përmbylljes së Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të Zbatimit të saj. Edhe pse ka pasur vonesa, ne jemi plotësisht të përkushtuar për zbatimin e tyre", tha Hovenier në një video-mesazh në platformën "X".
Siç ka shtuar ai, SHBA-ja beson fuqishëm se qytetarët e Kosovës do të përfitojnë nga zbatimi i obligimeve që të dyja palët kanë në bazë të këtyre marrëveshjeve.
"Në vitin 2024, ne shpresojmë të shohim përparim të vërtetë. Këtu përfshihet Serbia që të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj sipas marrëveshjes dhe Kosova gjithashtu të përmbush të gjitha detyrimet e saj, duke përfshirë përparimin në Asociacionin e Komunave Serbe. Në fund të fundit, ky proces normalizimi përfundon me njohjen reciproke , sepse edhe Kosova edhe Serbia përpiqen të arrijnë rrugën e tyre drejt BE-së. Zbatimi i Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të saj është një hap i rëndësishëm drejt asaj të ardhmeje”, tha Hovenier.
Ai ka deklaruar tri synime themelore që, siç ka thënë ai, SHBA-të i kanë për Kosovën dhe për të cilat kanë punuar së bashku me Qeverinë e Kosovës.
“Duke parë që Kosova zë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike, duke promovuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen efektive dhe zhvillimin njerëzor gjithëpërfshirës dhe rritje të qëndrueshme ekonomike”, tha diplomati amerikan.
Ai theksoi se marrëdhënia mes SHBA-së dhe Kosovës është e bazuar në vlerat e përbashkëta – lirinë, demokracinë, pavarësinë dhe diversitetin. Siç shtoi ai, beson se ky partneritet do të vazhdojë dhe do të forcohet edhe në vitin 2024 në të gjithë sektorët e punës së përbashkët.
"SHBA janë krenare për gjithçka që kemi arritur së bashku. Mbi të gjitha, partneriteti dhe miqësia mes SHBA-së dhe Kosovës mbetet i fortë. Deshirojmë 2024 të shëndetshëm dhe të suksesshëm", tha Hovenier.
komentet