Janjiq: Vuçiq nuk duhet të shkojë në Bruksel, nëse nuk flitet për BKS
Analisti politik Dushan Janjiq ka deklarur sot se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme Zhozep Borel dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Mirosllav Lajçak, do të duhet të informojnë publikun serb se çfarë do të diskutojnë me Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin më 27 shkurt në Bruksel, transmeton Beta.
Janjiq ka thënë për agjencinë Beta se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se në Bruksel nuk do të flitet për Bashkësinë e Komunave Serbe (BKS), “minon” procesin e negociatave, si edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Mynih se një shtet tjetër e tërhoqi njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Vuçiq nuk duhet të shkojë në Bruksel, nëse Bashkësia e Komunave Serbe nuk është një nga temat në atë takim. Megjithatë, nëse shkon në Bruksel atëherë nuk duhet të ketë takim me Kurtin pa diskutuar për BKS”, tha Janjiq.
Sipas fjalëve të tij, në këto dy-tre ditë do të duhej të pasonte ndërhyrja e vendeve të “pesës së madhe”, në mënyrë që të përcaktojë agjendën në Bruksel.
“Nëse nuk flitet për BKS në Bruksel, ajo do të rrisë ndikimin rus në Serbi. Vuçiq do të shpallet tradhtar sepse tha se nuk do të shkojë në Bruksel nëse Kurti nuk e “dorëzon” BKS. Kurti e pengon dialogun duke mos pranuar formimin e BKS-së, kurse Vuçiq duke lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës, që është në kundërshtim me parimet e planit evropian për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha Janjiq.
Janjiq shton se pas deklaratës së Kurtit se nuk do të diskutojë për BKS në Bruksel, Vuçiq ka tre opsione.
“Vuçiq nuk ka mundësi që askush nga qeveria serbe të mos shkojë në Bruksel, ai mund të shkojë në Bruksel, por të mos e shohë Kurtin. Vuçiq këtë herë me të drejtë të plotë mund të kërkojë që Boreli dhe Lajçaku të bëjnë punën e tyre. Boreli kishte thënë më herët se gjithçka ishte gati për një takim trepalësh, që sipas deklaratës së Kurtit nuk ishte e vërtetë. Ata duhet t'i shpjegojnë publikut serb se cili është truku”, ka theksuar Janjiq.
Ai theksoi se BKS nuk mund të zbatohet nëse serbët nuk kthehen më parë në institucionet e Kosovës.
“Në këtë moment ka pak informacione, a është e vërtetë ajo që tha drejtori i Zyrës për Kosovë dhe netohi Petar Petkoviq se ekipi drejtues ka bërë një version të dytë të Statutit të BKS-së. Pyetja themelore është se ku ndodhet ai version dhe çfarë thotë. Tema kryesore e takimit në Bruksel duhet të jetë nëse dhe çfarë po bëhet për formimin e BKS-së”, tha Janjiq.
0 komentet